Lidhje

Qëndrimi amerikan ndaj krizës greke


Sekretari amerikan i Thesarit Jack Lew i kërkoi kryeministrit grek Aleksis Tsipras për të gjetur zgjidhje "të qëndrueshme” për krizën financiare greke për hir të ekonomisë globale.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës Victor Beattie njofton se tregjet e aksioneve janë duke reaguar negativisht ndaj mbylljes së bankave greke dhe ngërçit mes Athinës dhe Bashkimit Evropian, ndërsa afrohet afati i së martës për pagesën e këstit të borxhit që Greqia duhet t’i bëjë FMN-së.

Zoti Lew i tha kryeministrit grek të djelën se është në interesin më të mirë të Greqisë, Evropës dhe ekonomisë globale për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, që e vendos Greqinë në një rrugë drejt reformave dhe mëkëmbjes brenda bllokut të Eurozonës me 19 vende anëtare.

Ai tha se është e rëndësishme për të gjitha palët të vazhdojnë të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje që përfshin si reformat edhe lehtësimin e mundshëm të borxhit, dhe i bëri thirrje Athinës të ruajë stabilitetin financiar. Zoti Lew foli gjithashtu të shtunën me shefen e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde dhe me homologët francezë dhe gjermanë.

Presidenti Barack Obama foli me kancelaren gjermane Angela Merkel të djelën rreth asaj që Shtëpia e Bardhë e quan rëndësinë kritike për reforma në Greqi dhe rritjen brenda Eurozonës.

Gary Hufbauer me Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare thotë se Shtetet e Bashkuara janë të alarmuara rreth mundësisë të ndikimit më të gjerë të krizës financiare greke.

"Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se kaosi në Greqi mund të jetë përhapet dhe do të ngjallë dyshime rreth anëtarësisë në Eurozonë edhe për vende të tjera si Portugalinë, Spanjën dhe Italinë dhe të shkaktojë përçarje në qëndrimin e Evropës lidhur me Rusinë për situatën në Ukrainë."

Patrick Chovanec, një prej drejtuesve të firmës financiare “Silvercrest Asset Management” thotë se pas përplasjeve të fundit mes Rusisë dhe Perëndimit, çdo ndihmë modeste financiare për qeverinë e majtë greke nga Rusia paraqet një sfidë gjeopolitike.

Ndonëse Shtetet e Bashkuara, nuk janë drejtpërdrejt të ekspozuara ndaj humbjeve në rast të një falimentimi grek, çdo gjë që minon ekonominë e Eurozoznës, mund të kishte pasoja të rënda globale, thotë analisti.

“Ajo krijon pasiguri, veçanërisht meqë po ndodh në një mënyrë të pakontrolluar. Ndikimi i menjëhershëm në Greqi do të ishte ndoshta një dhimbje e madhe. Tregjet nuk e pëlqejnë pasigurinë. Tregjet duan të dine se ku po shkohet dhe për momentin askush nuk e di se ç’do të ndodhë”.

Pasi bisedimet e qeverisë greke me kreditorët ndërkombëtarë dështuan të shtunën, Banka Qëndrore Evropiane vendosi të djelën të mos e zgjasë programin e saj të huasë emergjente duke detyruar Athinën të mbyllë të hënën bankat e vendit deri më 6 korrik, të mbyllë tregun e aksioneve të hënën dhe të kufizojë tërheqjet bankare deri në 60 euro në ditë.

Zoti Tsipras tha se do të lerë popullin grek të vendosë nëse të pranojë apo refuzojë paketën e fundit të shpëtimit, përmes një referendum më 5 korrik.

Ofera për shpëtim ofron masa të mëtejshme shtrënguese, me mundësinë për shkurtim pensionesh dhe rritje taksash. Udhëheqësi grek po i bën thirrje popullit të hedh votën “JO”.

Garry Hufbauer thotë se Greqia duhet t’i paguajë FMN-së gati 1.8 miliardë dollarë të marten, dita kur skadon edhe paketa e tanishme e ndihmës dhe kur 8 miliardë dollarët nuk do të jenë më në dispozicion të qeverisë greke.

Analisti i kompanisë “Silvercrest Asset Management”, Patric Chovanec thotë se ndërsa Greqia është relativisht një ekonomi e vogël, ndikimet e largimit të saj nga Eurozona mund të krijojnë një precedent ogurzi.

"Problemet që ekzistojnë në Greqi dhe mosmarrëveshjet mes Greqisë dhe pjesës tjetër të Evropës, veçanërisht me vendet kreditore të Evropës, ekzistojnë edhe në vende të tjera si Spanjë, Portugali dhe Itali. Pra shqetësimi është se ajo që do të ndodhë me Greqinë mund të krijojë një precedent, qoftë për faljen e borxhit, duke bërë që të shtohen kërkesat për falje borxhi nga të tjerë, ose në se rezultati do të jetë falimentimi financiar apo edhe një dalje nga Eurozona. Pra ajo që do të ndodhë me Greqinë, nuk shqetëson vetëm Greqinë, por është precedent për pjesën tjetër të ekonomive evropiane që janë nën trysni”.

Zoti Hufbauer, megjithatë e sheh një dalje të mundshme të Greqisë nga Eurozona si shenjë të forcimit të anëtarëve të tjerë të mbetur dhe citon tre arsye përse Greqia është një rast unik.

“Së pari, niveli i borxhit që është gati 200 përqind i prodhimit të brendshëm bruto, së dyti, paaftësia për të zgjidhur krizën dhe për të ndërmarrë reforma dhe së treti zgjedhja e një qeverie kokë-fortë, pothuajse pro-komuniste”.

Ai thotë se jashtë Eurozonës, Greqia do të kthehet tek monedha tradicionale, dhramia, dhe do të ekonomia e vendit do të vazhdojë të tkurret.

XS
SM
MD
LG