Lidhje

Turizmi në Greqi


Turizmi duket se është prekur nga situate kaotike financiare në Greqi. Ndërkohë vetë grekët janë të zemëruar me politikanët që e kanë çuar vendin në këtë situatë.

Sheshi Monastiraki në Athinë, është një destinacion i njohur për turistët. Por disa ditë pas mospagimit të borxhit nga Greqia, pronarët e bizneseve në Athinë po vërejnë ndryshim.

"Fatkeqësisht gjatë ditëve të fundit numri i turistëve ka rënë. Është si në janar. Nuk ka shumë njerëz në rrugë. Duket si dimër. Ajo që dëgjojmë nga fqinjët dhe pronarët e hoteleve është se rezervimet janë anuluar për javët në vazhdim. Duke se ky sezon ka qënë i varfër."

Të martën, Greqia nuk pagoi këstin e borxhit ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Qeveria vendosi kontrolle mbi kapitalin duke kufizuar tërheqjet nga banka deri në 60 euro në ditë.

Kjo, thotë pronari i restorantit Spiros Bairaktaris, po i mban larg klientët.

"Sapo filloi sezoni, bankat u mbyllën dhe më pas ndodhi gjithë kjo kështu që numri i turistëve ka rënë. Klientët hezitojnë. Të gjithë duket se presin të ndodh diçka."

Disa turistë të huaj e njohin mirë kontrollin e kapitalit.

Argjentina u detyrua ta vendoste atë në vitin 2002 dhe përsëri një dekadë më pas.

Këta argjentinas që po vizitojnë Athinën janë të detyruar të përdorin dollarë në vend të monedhës së tyre.

"Ne jemi mësuar me këtë në Argjentinë. Kemi kaluar këto momente të tmerrshme. Më duket se njerëzit këtu nuk janë aq të friksuar sa ç’jemi ndjerë ne."

"Ne ishim tre vjet pa banka. Nuk mund të tërhiqje paratë e tua, asgjë."

Turistët ende shkojnë në Greqi.

Ata që janë tashmë aty thonë se nuk janë prekur shumë nga kriza e tanishme ende.

"Nuk kemi patur probleme. Erdhëm sot në Athinë dhe nuk jemi përballur me asnjë problem."

Greqia ende shpreson për një kompromis. Shpresat u rritën të mërkurën për një marrëveshje, vetëm për t’u shuar përsëri.

Kryeministri Alexis Tsipras po bën fushatë për një votë JO për kushtet e shpëtimit të propozuara nga kreditorët në referendumin e të djelës.

"'JO' do të thotë presion i fuqishëm për një marrëveshje ekonomike të qëndrueshme që jep zgjidhje për borxhin tonë dhe nuk e rrit atë duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në ngritjen e ekonomisë dhe shoqërisë greke."

Kryetari i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, foli pas një telekonference me ministrat e financave të BE-së.

"Duke pasur parasysh situatën politike, refuzimin e propozimeve të mëparshme, referendumin i cili do të mbahet të dielën dhe këshillën e qeverisë greke për një votë “JO”, ne nuk shohim asnjë bazë për bisedime të mëtejshme në këtë pikë."

Greqia dhe kreditorët janë po aq larg marrëveshjes sa ç’ishin në fillim të negociatave. Një JO në referendum pritet komplikojë më tej dhe jo ta lehtësojë situatën.

XS
SM
MD
LG