Lidhje

BP, 18.7 miliardë dollarë për dëmet


Gjiganti britanik i naftës BP ra dakort të enjten të paguajë 18.7 miliardë dollarë për dëmet e shkaktuara nga rrjedhja më e rëndë e naftës në Shtetet e Bashkuara si pasojë e shpimeve në vitin 2010 në Gjirin e Meksikës.

Në një marrëveshje të arritur me Departamentin amerikan të Drejtësisë dhe pesë shtetet bregdetare në Gjirin e Meksikës, BP tha se do të paguajë rreth një miliardë dollarë në vit për 18 vjetët në vazhdim.

Rrjedhja 1.6 kilometra nën sipërfaqe shkaktoi një shpërthim në bordin e plaftormës Deepwater Horizon për shpimin e naftës nga i cili u vranë 11 persona. Gjatë shumë javëve, më tepër se tre milion fuçi nafte u derdhën në gji para se autoritetet të ishin në gjendje të mbyllnin pusin.

Në fillim të vitit, një gjykatës në Nju Orlins arriti në përfundimin se kompania e naftës kishte vepruar me “neglizhencë të madhe” në operacionet e shpimit.

Prokurorja e Përgjithshme amerikane Loretta Lynch tha se nëse marrëveshja miratohet përfundimisht nga një gjykatë që ka dëgjuar pretendimet e dëmeve të shkaktuara, kjo do të ishte shuma më e madhe e paguar për të zgjidhur një mosmarrëveshje me një kompani në Shtetet e Bashkuara. Ajo tha se pagesat do të ndihmojnë në riparimin e dëmeve të shkaktuara për mjedisin dhe ekonominë e Gjirit, peshkimin dhe kafshët e egra.

Përveç kësaj, BP tha se kostot e lidhura me rrjedhjen kanë tejkaluar shumën e 42 miliardë dollarëve, përfshi 4.5 miliardë në gjoba penale.

XS
SM
MD
LG