Lidhje

Kuba zgjeron përdorimin e internetit


Kuba thotë se po e fuqizon përdorimin e internetit dhe thuajse po e përgjysmon koston për përdoruesit, duke e shtuar kapacitetin e lidhjeve wireless për dhjetra qendra interneti të kontrolluara nga qeveria. Ky është zgjerimi i parë i përdorimit të internetit për Kubën, që kur presidenti Obama njoftoi se qeveria komuniste i kishte premtuar akses më të madh për kubanët në internet.

Kjo është një pamje e zakonshme në shumë qytete të botës, por për Kubën është diçka e rrallë. Në këtë qendër kulturore në perëndim të Havanës, të rinj të brezit të mijëvjeçarit, të ngulur mbi laptopat, apo telefonat inteligjentë, janë të zhytur në lumturinë e përdorimit të internetit me lidhje wireless, pa pagesë. Kohët e fundit qeveria kubane lejoi për herë të parë shërbimin publik falas të internetit. Ai drejtohet nga artisti i famshëm kuban Lexis Leyva, i njohur me pseudonimin “Kcho”.

Ai ka lidhje të afërta me qevrinë kubane. Fidel Kastro u shfaq në ceremoninë e hapjes së qendrës së artit në janar të vitit 2014. Kcho thotë se shërbimi wireless këtu vjen përmes lidhjes së tij personale të internetit, të autorizuar nga Ministria e Kulturës.​

“Kjo është një dhuratë. Unë jam bir i revolucionit. Jam i tillë jo se kam zbuluar gjë, vetëm se bëj siç do vendi im, si populli im.”

Një shenjë e vendosur në muret e jashtme të qendrës kulturore jep pasuordin e internetit - një thirrje e famshme e revolucionarit Huan Alemaida në vitin 1956: “Këtu askush nuk dorëzohet!”

Shërbimi i internetit këtu është i ngadalshëm, krahasuar me atë që janë mësuar të përdorin të huajt.

Por për banorët e ishullit të etur për lidhje me botën, ky është një rast i vlefshëm për të përdorur Facebook-un, për të lexuar lajmet dhe për të komunikuar me miqtë dhe familjarët jashtë vendit.

“Mendoj se ky është një rast unik, sepse këtu interneti është pa para.”

Kuba është një nga vendet me çmimet më të ulëta të lidhjes së internetit në botë dhe llogaritë e internetit janë tepër të kufizuara. Lidhjet me bandë të gjerë nëpër shtëpi janë diçka thuajse e padëgjuar. Vetëm të huajt mund ta kenë këtë lidhje, duke paguar qindra dollarë në muaj për shërbimin.

Kapaciteti i internetit u fuqizua ndjeshëm në janar 2013, pas shtrirjes së kabllit nënujor me fibra optike nga Venezuela.

Deri pak kohë më parë, lidhje wireless ka patur vetëm në disa hotele ku shkojnë turistë dhe ku pagesa për një orë internet është thuajse sa një e katërta e rrogës mujore të kubanëve.

Kritikët thonë se mungesa e lidhjes me internet në Kubë ndodh kryesisht për shkak të frikës se mos interneti sjell trazira sociale.

Qeveria kubane fajëson embargon amerikane dhe ka shprehur publikisht synimin për ta zgjeruar përdorimin e internetit për qytetarët.

Shumë të rinj kubanë, janë po aq të aftë për kapjen e teknologjisë, sa edhe bashkëmoshtarët e tyre në vendet ku interneti është më i përhapur, megjithë kufizimet e mëdha që ata kanë patur ndaj tekonologjisë.

Marlon është një nga përdoruesir privatë të internetit, që kanë krijuar rrjetet e tyre. Kjo nuk e lejon atë të ketë akses në World Wide Web, por ai mund të komunikojë, të ndajë informacionin dhe të luajë lojëra elektronike.

“Për të zëvendësuar internetin, që nuk e kemi, për rrjetet lokale, ne kemi krijuar forume, kemi krijuar servera me lojëra, ku njerëzit shkëmbejnë ide me njëri tjetrin, debatojnë për të gjitha llojet e temave, për sportin, kuturën, muzikën,” thotë Marlon.

Nëpër çatitë e Havanës, sheh tela që lëkunden dhe varen nga njëra ndërtesë tek tjetra, duke krijuar lidhje lokale.

Ajo që filloi disa vjet më parë në formën e kabllove të internetit, tani është shndërruar në një rrjet të rregulluar për këto sisteme, përmes të cilit lidhen përdoruesit në mbarë lagjen.

Përdoruesit lidhen në rrjete sociale, të ngjashme me Facebook-un, dhe luajnë lojëra popullore siç është “Call of Duty”.

“E përdorim këtë lidhje kryesisht për të komunikuar me miqtë, për të luajtur, për të marrë pjesë në forume, ku flitet për mijëra tema, për të shkëmbyer njohuritë dixhitale, për filma, apo lloje të tjera zbavitjeje”.

Por duhet të kemi kujdes për ato që shkruajmë, thotë Adriani.

“Të gjithë e dimë se vrojtohemi dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm, se askush nuk do që ta humbasë investimin e tij. Askush nuk do të humbë rastin për zbavitje, alternativa e vetme që kemi.”

Qeveria kubane kohët e fundit njoftoi plane për lidhje më të fuqishme të Internetit dhe kjo mund ta ndihmojë Marlonin të realizojë ëndërrën e tij për të luajtur në internet me përdorues amerikanë.

XS
SM
MD
LG