Lidhje

Grekët dhe masat shtrënguese


Ndërkohë që Greqia bëhet gati të rihapë bankat për herë të parë pas tre javësh, njerëzit janë të ndarë në perceptimin e masave shtrënguese. Punëtorët protestuan sot kundër përcaktimit të së dielës si ditë pune, ndërkohë që pensionistët duken të dorëzuar përballë realitetit të ashpër të masave shtrënguese.

Dhjetëra punëtorë grekë protestojnë sot përpara dyqaneve në kryeqytetin Athinë kundër propozimit që e diela të shndërrohet në ditë pune, si pjesë e masave të shumta shtrënguese. Protestuesit thonë se ndjehen të tradhëtuar nga zoti Tsipras dhe partia e tij Syriza, e cila në të kaluarën pati bërë fushatë për të drejtat e punëtorëve dhe kundër mbajtjes hapur të dyqaneve ditën e dielë.

“Duam t’u tregojmë punëdhënësve që jemi në grevë dhe se do ta vazhdojmë luftën pavarësisht se kush është në pushtet,” thotë një protestuese.

Por, jo të gjithë janë dakort me grevistët.

“Mendoj se vetëm kryeministri Tsipras do të jetë gjendje të vërë nën kontroll sindikatat. Nuk na lënë të bëjmë pazar si të gjithë njerëzit nëpër botë. Kush mendojnë se janë ata? Në mbarë botën punohet të dielën. Kur isha në moshë të re, punoja çdo ditë, dhe madje edhe netëve,” thotë një pensioniste.

Megjithëse pensionistët janë segmenti më i dëmtuar prej masave shtrënguese, ata thonë se zoti Tsipras do të jetë në gjendje të realizojë reformat.

“Është rrugë me një drejtim. Do të duhet të paguajmë dhe të zbatojmë masat. Nuk ka zgjidhje tjetër. Unë nuk kam votuar për këtë qeveri, por jam me ta.”

Kryeministri Tsipras zëvendësoi një ministër dhe dy zëvendësministra pas një rebelimi të brendshëm të 39 deputetëve të partisë Syriza, të cilët nuk votuan në mbështetje të paketës së propozuar nga qeveria. Anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar vijnë nga partia e djathtë “Grekët e Pavarur”. Sipas ministrit të brendshëm Nikos Voutsis, Greqia ka gjasa të zhvillojë zgjedhje të parakohshme në muajin shtator ose tetor.

XS
SM
MD
LG