Lidhje

Presidenti Obama vazhdon turneun në Afrikë


Gjatë fjalimit në kryeqytetin kenian, Nairobi, Presidenti amerikan Barack Obama thoa se Kenia ndodhet në udhëkryq, mes rrezikut dhe premtimit të madh.

Zoti Obama ndau parashikimet e tij mbi të ardhmen e vendit të Afrikës Lindore gjatë qëndrimit në atdheun e të atit të tij ku ai u nderua si të ishte nga ai vend.

Presidenti vlerësoi përparimet e Kenias që nga fitorja e pavarësisë nga sundimi kolonial britanik në vitin 1963, e deri tek dhënia fund e sundimit një partiak e më pas kapërcimit të dhunës vdekjeprurëse fisnore dhe etnike që shpërtheu në vitin 2007 dhe sundoi atë vend për disa muaj.

Populli i Kenias, tha presidenti, zgjodhi që të mos karakterizohet nga urrejtja e së shkuarës, por zgjodhi një histori më të mirë.

Presidenti Obama tha se e ardhmja e suksesshme e Kenias varet nga tre shtylla kryesore: qeverisje demokratike e fuqishme dhe transparente, zhvillimi ekonomik universal, dhe ndjenja e fortë e identitetit kombëtar që hedh poshtë konfliktet për një ardhme paqësore dhe pajtim.

Presidenti u tha njerëzve të mbledhur se kenianët i presin shumë mundësi përpara, duke theksuar një vizion shprese, në veçanti për të rinjtë.

“Një i ri kenian me ambicie, sot nuk ka nevojë të bëjë atë që bëri gjyshi im duke u larguar. Juve nuk ju duhet të bëni atë që bëri im atë dhe të braktisni shtëpinë për të marrë një arsimim të mirë dhe për më shumë mundësi. Për shkak të progresit të Kenias, dhe të potencialit tuaj, mundeni ta ndërtoni të ardhmen këtu.”

Zoti Obama i bëri thirrje atij vendi që të shtojë përpjekjet për zhdukur korrupsionin, duke thënë se çdo para e dhënë si ryshfet mund të shkojë tek punëtorët e ndershëm.

Zoti Obama i kushtoi vëmendje të veçantë barazisë gjinore, duke thënë se Kenia nuk do të përparojë nëse i trajton vajzat dhe gratë si qytetarë të klasit të dytë. Ai bëri thirrje për dhënien fund të praktikave të martesave të detyruara, gjymtymet gjenitale dhe ndalimi i vajzave që të shkollohen. Këto tradita, tha presidenti, mund të kenë origjinën shekuj më parë por nuk kanë vend në shekullin 21.

Presidenti Obama paralajmëroi se politikat e bazuara vetëm tek fiset dhe përkatësia etnike janë politika që do ta shkatërrojnë vendin. Ndjenja e përbashkët e unitetit kombëtar po ashtu do ta parandalonte Kenian që të përdoret nga grupet terroriste. Zoti Obama shkoi nga Nairobi në Addis Ababa duke u bërë kështu presidenti i parë amerikan që viziton Etiopinë.

Dje, zoti Obama tha se SHBA-ja dhe Kenia qëndrojnë të bashkuara përballë kërcënimit të terrorizmit, por Presidenti Uhuru Kenyatta nuk u shpreh dakord me Presidentin Obama për të drejtat e homoseksualëve.

“Për kenianët sot, çështja e të drejtave të homoseksualëve nuk qëndron. Duam të përqëndrohemi në aspekte të tjera të jetës së përditshme të popullit tonë. Çështjet e shëndetësisë që kemi diskutuar me Presidentin Obama janë vërtet të rëndësishme.”

Shqetësimet për të drejtat e njeriut zënë vend të dukshëm në sfondin e udhëtimit të zotit Obama në Afrikë.

Përpara se të nisej nga SHBA, grupe të të drejtave të njeriut i bënë thirrje që të kërkojë reforma thelbësore të të drejtave të njeriut në Kenia dhe Etiopi.

Presidenti Obama shkon sot në Etiopi, duke u bërë kështu presidenti i parë amerikan që viziton këtë vend.

XS
SM
MD
LG