Lidhje

Kosovë: Gjykata e Posaçme rivotohet të hënën


Kryesia e parlamentit vendosi që me 3 gusht të votohen ndryshimet kushtetuese që mundësojnë ngritjen e Gjykatës së Posaçme për krime lufte

Kryesia e parlamentit të Kosovës vendosi që të hënën me 3 gusht, të votohet sërish për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me formimin e Gjykatës së Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për krime lufte. Më 26 qershor, parlamenti dështoi të miratojë këto ndryshime.

Gjykata e posaçme
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:33 0:00

Vendimi për mbajtjen e seancës së re të parlamentit u mor pak kohë pasi që qeveria vendosi të ridërgojë në parlament këtë çështje. Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se miratimi i ndryshimeve kushtetuese, është një hap me rëndësi të posaçme për Kosovën në procesin e përmbushjes së detyrimeve kundrejt partnerëve ndërkombëtarë.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për, miratoi themelimin e gjykatës së posaçme.

Kosova përmes aprovimit të këtyre amendamenteve demonstron në mënyrë të qartë përcaktimin e qeverisë së saj për rend dhe ligj dhe për arritjen e standardeve të larta perëndimore të drejtësisë. Njëherësh shpreh bindjen se votimi i tyre në kuvend është në dobinë afatgjate të Kosovës. Themelimi i dhomave të veçanta është kërkesë eksplicite e partnerëve tanë strategjik, sidomos e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së”, tha kryeministri Mustafa.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

Opozita po bënë thirrje që të respektohet vendimi i deputetëve të parlamentit dhe të hiqet dorë nga themelimi i saj në formën si është ofruar aktualisht. Udhëheqësit e saj thonë se nuk janë kundër një gjykate për krime lufte, por kërkojnë që ajo të jetë gjithëpërfshirëse, ndërsa theksojnë se ri votimi do të dëmtojë rëndë demokracinë në vend.

Kryeministri Mustafa tha se miratimi në parlament e ruan sovranitetin e Kosovës, sepse institucionet e saj janë ato që marrin rolin dhe përgjegjësinë për një vendim të tillë.

Për neve do të jetë e dëmshme dhe e papranueshme që për këtë çështje të vendoset mbi bazën e Rezolutës 1244, pasi që rikthimi dhe fuqizimi i kësaj rezolute sjell në pikëpyetje sovranitetin e vendit dhe vlerat e ndërtuara që nga periudha e shpalljes së pavarësisë”, tha ai.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën. Ata thonë po ashtu se dështimi i Kosovës për të ngritur gjykatën mund të çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kjo do të jetë e dëmshme për shtetin e ri.

XS
SM
MD
LG