Lidhje

Olimpiket dimërore 2022 në Pekin


Komiteti Olimpik Ndërkombëtar zgjodhi Pekinin si mikpritës të Lojrave Olimpike Dimërore 2022, kundrejt Almatit, kryeqytetit të Kazakistanit, që ishte i vetmi konkurrent tjetër.

Pekini ka qenë mikpritës i Lojrave Olimpike Verore 2008 dhe bëhet kështu i vetmi qytet i botës që organizon lojra olimpike verore dhe dimërore.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, e njoftoi vendimin sot gjatë sesionit të 128 të këtij komiteti në Kuala Lumpur të Malajzisë.

Pekini ka qenë mikpritës i Lojrave Olimpike Verore 2008 dhe thotë se do të përdorë përsëri shumë nga objektet e atyre lojrave.

Kazakistani nuk ka qenë asnjëherë mikpritës i lojrave olimpike.

Kina shihej si alternativë më e sigurtë, sepse ofronte ripërdorimin e objekteve të 2008-s si dhe shanse më të mira për sponsporizime.

Por Kazakistani kishte thënë se ka mot më të mirë për sporte dimërore dhe se mund të ofronte gara më të bukura në dëborë natyrore. Përkrahësit e kandidaturës së Almatit vinin gjithashtu në dukje lehtësinë e organizimit të lojrave atje, krahasuar me Kinën, ku disa prej objekteve janë deri në 160 kilometra larg nga Pekini.

Kina i fitoi lojrat megjithë shqetësimet për mungesën e dëborës në malet e saj të largëta dhe protestat e grupeve për të drejtat e njeriut. Por Pekini ishte favorit i qartë për këto lojra si rrjedhojë e organizimit me sukses të Olimpikeve Verore në vitin 2008.

Të dy vendet janë kritikuar për gjendjen e mjeruar të të drejtave të njeriut. Vëzhguesit janë të ndarë për çështjen nëse dhënia e Lojrave një vendi e ekspozon atë më shumë ndaj kritikave për gjendjen e këtyre të drejtave apo e shpërblen për dështimet në këtë aspekt.

Gara e këtij viti se kush do ta fitonte të drejtën e organizimit ishte e pazakontë, sepse aty merrnin pjesë vetëm dy konkurrentë. Katër qytete të tjera, të gjitha në Evropë: Mynih, Stokholm, Krakov dhe Graubunden u larguan nga gara, për shkak të shpenzimeve të mëdha të këtyre lojrave dhe interesimit të ulët të publikut.

Edhe shqetësimet në rritje për sigurinë i kanë bërë lojrat olimpike një ngjarje më pak tërheqëse për qytetet e mundshme mikpritëse.

XS
SM
MD
LG