Lidhje

Shqipëri, përkeqësohen të ardhurat


Treguesit fiskalë për 6 mujorin e parë të vitit: 8.6 miliard lekë më pak se parashikimi. Gropa e krijuar nga Tatimet dhe Doganat 13.4 miliard lekë.

Në Shqipëri treguesit e të ardhurave në buxhetin e shtetit po vijojnë tendencën rënëse të vërejtur edhe në muajt e shkuar. Sipas të dhënave të pubblikuara sot nga ministria e Financave, në total të ardhurat në buxhetin e shtetit për 6 mujorin e parë të vitit, janë 4.5 përqind më pak se sa plani i parashikuar nga qeveria, ose me një mungesë prej 8.6 miliard lekësh (68 milion dollarë). Krahasuar me 5 mujorin, shihet se ka një përkeqësim të mëtejshëm të të ardhurave. Në fund të majit, në buxhetin e shtetit mungonin 6.6 miliard lekë (52 milion dollarë). Gjatë qershorit kjo gropë është zmadhuar dhe me 2 miliard lekë (16 milion dollarë) të tjera.

Problem mbeten sërish të ardhurat tatimore dhe kryesisht ato nga Tatimet dhe Doganat me një mosrealizim në masën 10 përqind, ose 13.4 miliardë lekë (105.5 milion dollarë) më pak se sa plani. Krahasuar me 5 mujorin, gropa e krijuar nga Tatimet dhe Doganat është shtuar me mbi 2.3 miliard lekë (18.5 milion dollarë).

Zëri me mosrealizimin më të madh për 6 mujorin është ai akcizave me -24.6 përqind krahasuar me planin, ose 5.6 miliard lekë (44.6 milion dollarë) më pak, i ndjekur nga Tatimi mbi të ardhurat personale, me një rënie prej 22.4 përqind, ose 3.8 miliard leke me pak (30.6 milion dollarë). Rënie kanë shënuar të gjitha taksat, përvec Tatimit mbi Fitimin, i cili është 9.5 përqind mbi planin, ose në vlerë 1.1 miliard lekë (9.2 milion dollarë) më shumë.

Rënia e të ardhurave u bë shkak që misioni i fundit i Fondit monetar ndërkombëtar të mos miratonte rishikimin e radhës së programit tre vjecar me Shqipërinë, e cila pasohet me moslëvrimin e këstit. Në disa intervista për mediat shqiptare, përfaqësuesi i FMN-së në Tiranë, Jens Reinke, shprehu shqetësim për “rënien domethënëse” të të ardhurave, duke vlerësuar se kryesisht ato kanë ardhur për shkak të problemeve në administrimin fiskal. Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama u shpreh se po analizohen shkaqet e rënies, dhe se mbi bazë të kësaj analize do të vendoset se cfarë masash do të merren, ndërkohë që paralajmëroi nisjen e një operacioni të gjerë kundër evazionit fiskal shtatorin e ardhshëm.

Rënia e të ardhurave duket se ka detyruar qeverinë të shtrëngojë dorën në shpenzime, të cilat gjithastu kanë qenë në fund të 6-mujorit, 9.9 përqind më të ulta, ose 21.4 miliard lekë (168.8 milion dollarë) më pak se sa parashikimi. Problematik mbetet fakti se qeveria ka reduktuar ndjeshëm shpenzimet kapitale, ose investimet e parashikuara, të cilat në pjesën e parë të vitit kanë qenë 18.8 përqind më të ulta, që e përkthyer në vlerë, do të thotë 4.8 miliard lekë (38 milion dollarë) më pak.

XS
SM
MD
LG