Lidhje

Divorci dhe ndryshimi i konceptit të familjes


Divorci sjell pasoja negative, duke shkaktuar sëmundje psikosomatike, stres dhe depresion. Por terapistët dhe ndërmjetësit e marrëveshjeve pas divorcit thonë se ekziston një jetë edhe pas një martese të shkurorëzuar në qoftë se pranojmë se forma tradicionale e familjes ka ndryshuar.

Ylli i muzikës rrok Gwen Stefani dhe bashkëshorti i saj muzikant Gavin Rossdale konsideroheshin një çift ideal në Hollivud.

Por pas një martese 12 vjeçare çifti iu bashkua shumë të tjerëve në Hollivud që divorcohen.

Dokumentat e dorëzurara në gjykatë citojnë dallime të papajtueshme mes tyre por shtohet se:

"Ndërsa të dy ne kemi arritur në vendimin e përbashkët se nuk do të jemi më partnerë në martesë, do të mbetemi partnerë si prindër dhe jemi të vendosur të rrisim bashkë tre djemtë tanë në një ambjent të gëzueshëm dhe të shëndetshëm."

Ndarje të tjera të personazheve publikë përfshijnë Ben Affleck dhe Jennifer Garner të cilët kërkuan divorc në qershor pas një martese 10 vjeçare.

Po në qershor yjet e muzikës kantri Miranda Lambert dhe Blake Shelton vendosën të ndahen pas një martese 4 vjeçare.

Gjithnjë e më i zakonshëm dhe shpesh i trajtuar si diçka normale në filma dhe revista, divorci e ka humbur etiketimin e dikurshëm.

Por nuk është vetëm shkëlqimi verbues që i vë marrëdhëniet në rrezik. Shkencëtarët gjithashtu janë tani duke marrë në shqyrtim ndikimin e divorcit mbi çiftet e ndara dhe fëmijët e tyre.

Ata po shtrojnë pyetjen në se divorci është një dëm i pashmangshëm.

Në hulumtimet e publikuara këtë vit, shkencëtarët zbuluan se ka një rrezik të problemeve psikosmatike mes fëmijëve me prindër të divorcuar.

Një studim i kryer në Suedi vëzhgoi 150 mijë adoleshentë dhe përdori një shkallë të standartizuar të problemeve psikosomatike duke i pyetur të rinjtë të përqëndrohen në gjëra si dhimbjet e kokës, marrje mendsh dhe humbja e oreksit.

Fëmijët që arritën nivelin më të mirë ishin nën kujdesin e të dy prindërve.

Një studim tjetër në universitetin Linkping të Suedisë zbuloi se ngjarjet serioze në jetë përfshi divorcin mund të kenë një ndikim negativ tek shëndeti i fëmijës.

Avokatja britanike Hazel Wright pranë firmës Hunter shërben edhe si negociatore për çiftet që duan të divorcohen.

"I dëgjojmë fëmijët t’u dhëmbë stomaku, të mungojnë në shkollë. Për prindërit mund të jetë e vështirë të marrin leje nga puna kur fëmija nuk ndihet mirë. Në të njëjtën kohë u duhet të marrin leje për t’u takuar me avokatin, për të lëvizur nga shtëpia, për të bërë gjithcka dhe është një kohë shumë e vështirë dhe stresuese. Shohim çifte me depresion dhe ankth. Për këto çifte në shumicën e rasteve situata përmirësohet. Ka mjaft ndihmë, shërbime këshilluese, organizata ndihmash. Por për shumë njerëz është shumë stresuese dhe situata mund të ketë ndikime fizike."

Avokatët si zonja Wright argumentojnë se megjithëse shifrat e divorcit në Britani janë të larta, një ndër tre martesa, numri i atyre që martohen ka rënë, kështu që shifrat e ndarjeve nuk shërbejnë më si një tregues real.

Meqenëse shumica e çifteve janë martuar në moshë më të madhe, të moshuarit po divorcohen më shumë se kurrë më parë.

Chris Sherwood, drejtor ekzekutiv i organizatës Relate për bamirësi thotë se këto çifte tani quhen "të ndarët e thinjur".

"Aktualisht divorci është bërë gjithnjë e më i zakonshëm, por është gjithmonë i vështirë si më parë. Shumica e njerëzve e marrin veten nga zhbërja e familjes apo nga divorci, por për disa ajo mund të ketë pasoja të pariparueshme jo vetëm për palët, por edhe për fëmijët. Ajo shfaqet në keqësimin e notave të tyre dhe në problemet e shëndetit mendor që mund të vuajë një fëmijë pas ndarjes."

Avokatët dhe terapistët besojnë gjithashtu se një kontribues në shtimin e divorcit mund të jetë rritja e pavarësisë financiare mes grave.

Avokatja Sherwood thekson se divorci po ndryshon formën e njësisë së familjes, por njësi të reja mund të funksionojnë me sukses për të gjithë anëtarët e familjes.

"Sot shohim familje të formave dhe përmasave të ndryshme, familje të çifteve të martuar me fëmijë, familje me fëmijë nga martesa të ndryshme. Pra duhet të mendojmë për familjen si një njësi e transformuar, me kombinime të ndryshmedhe gjithashtu duhet të kuptojmë se në Evropën perendimore dhe Amerikën e Veriut kostoja e kujdesit për fëmijët është duke u rritur dhe gjyshërit dhe anëtarë të tjerë të familjes ndihmojnë. Pra nuk duhet të mendojmë më për familjen si mamaja, babai dhe dy fëmijët por si një njësi më të gjerë familjare."

Gwyneth Paltrow shtoi një frazë të re në fjalorin e divorcit.

Duke njoftuar ndarjen miqësore nga bashkëshorti muzikant Chris Martin ajo e quajti atë "ndarje të vetëdijshme".

"Mendoj se është një përkufizim interesant nga Gwyneth Paltrow. Edhe pse e pranon se është goxha e vështirë të divorcohesh, ndarja miqësore dhe e njerëzishme është ende një proces i vështirë. Martohesh pasi parashikon se do të jesh me të për gjithë jetën përndryshe s’ke pse e bën këtë veprim dhe t’i shohësh gjërat ndryshe është shumë e vështirë. Mendoj se ideja e çifteve publikë se mund të ndahesh duke ruajtur mirësjelljen dhe miqësinë është e rrallë. Bruce Willis duket t’ia ketë arritur kësaj me Demi Moore, por për shumicën është e vështirë."

Të ndahesh është e vështirë, por kur je i ri, të biesh në dashuri është shumë më e lehtë.

Shpresa është e pavdekshme dhe këta çifte në bazilikën e Shën Valentinit në Itali shpresojnë se bekimi i shenjtorit do t’i ndihmojë.

XS
SM
MD
LG