Lidhje

Biden shqyrton mundësinë për të hyrë në garë


Nënpresidenti amerikan Joe Biden duket se po shqyrton seriozisht mundësinë për të konkuruar për president në kampin demokrat. Ai u ka telefonuar kohët e fundit donatorëve të fushatës dhe mbështetësve si dhe është takuar me ligjvënës me peshë ndërsa shqyrton prespektivën për të konkuruar.

Zoti Biden ndryshoi planet e vizitës në shtetin e tij Delaware të shtunën për një drekë në banesën e tij private në kryeqytetin amerikan me senatoren demokrate Elizabeth Warren të shtetit Masaçusets. Zonja Warren gëzon respektin e demokratëve dhe më herët këtë vit hodhi poshtë kërkesat nga mbështetësit e saj që të futej në garën presidenciale.

Ajo njihet për kritikat e ashpra kundër influencës së instuticioneve të mëdha financiare në Shtetet e Bashkuara dhe ende nuk ka shprehur mbështetje për asnjë nga konkurentët, përfshi kryesuesen e kampit demokrat Hillary Clinton.

Mundësia e zotit Biden që të hyj në garë vjen pasi anketat politike tregojnë rënien e mbështetjes për zonjën Clinton, ndërsa shtohen kritikat për përdorimin e emailit privat gjatë kohës që shërbeu në krye të politikës së jashtme amerikane në mandatin e parë të presidentit Barak Obama. Me kushtetutë, presidentët amerikan mund të shërbejnë vetëm dy mandate.

72 vjeçari Joe Biden, ndërsa mbante postin e senatorit, nuk arriti të fitonte mbështetje gjatë garave presidenciale në vitet 1988 dhe 2008. Ai ka shërbyer në postin e zëvendës-presidentit për 6 vjet e gjysmë.

XS
SM
MD
LG