Lidhje

Sulmi në trenin francez


Tre amerikanë dhe një britanik po lavdërohen në Francë që u përleshën me një person të armatosur rëndë në trenin e shpejtësisë së lartë që udhëtonte nga Amsterdami drejt Parisit.

Tre amerikanët, Spencer Stone, Alek Skarlatos, dhe Anthony Sadler do të bisedojnë me mediat në ambasadën amerikane në Paris.

Presidenti francez Francois Hollande falenderoi dje me telefon Presidentin Barack Obama për aktin shembullor të dy ushtarakëve Skarletos dhe Stone, të cilët ndaluan një sulm që mund të kishte pasoja jashtëzakonisht të rrezikshme.

Zoti Hollandë do të takohet personalisht në ditët e ardhshme me ata që ndaluan autorin.

Skarletos, Stone dhe studentit amerikan Sadler iu bashkua edhe britaniku Chris Norman kur iu vërsulën sulmuesit të lindur në Marok, i cili plagosi rëndë të paktën një pasagjer përpara se të mposhtej.

I plagosur gjatë sulmit

Ushtaraku i forcave ajrore amerikane, Spencer Stone, u shtrua në spital me plagë të rënda, pasi u pre me thikë në qafë dhe në dorë nga sulmuesi.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Obama bisedoi në telefon me zotin Stone për t’i uruar atij shërim të shpejtë dhe për t’i transmetuar mirënjohjen e të gjithë amerikanëve për trimërinë e jashtëzakonshme të treguar në tren.

Zoti Stone, i cili udhëhoqi aksionin kundër sulmuesit, u pa më vonë duke u larguar nga një spital në qytetin Lille dhe duke hipur në një makinë me targa diplomatike.

Autoritetet spanjolle thonë se kanë identifikuar autorin 26-vjeçar, Ayoub El-Khazzani, i cili ka qenë për një periudhë në Siri vitin e kaluar. Ai kishte hipur në tren në Bruksel, pak para sulmit.

Autoritetet në Francë kanë të drejtën ta mbajnë në pyetje për katër ditë përpara se të ngrihen akuza. Avokati i tij thotë se është i tronditur nga akuzat për terrorizëm dhe se kishte ndërmend vetëm të grabiste pasagjerët.

Sulmi

Britaniku Chris Norman, i cili jeton në Francë, tha se autori eci përmes vagonit me një kallashnikov, një pistoletë dhe një thikë.

Zoti Norman, që punon për financim projektesh biznesi në Afrikë, u tha gazetarëve se instikti i tij fillestar ishte të fshihej menjëherë pasi sulmuesi filloi t’u bërtiste pasagjerëve.

“Pastaj dëgjova njërin prej amerikanëve që thërriti ‘Ta kapim!’, dhe tjetrin që i tha sulmuesit ‘Mos e bëj këtë gjë!’, dhe në vijim iu vërsulën”, tha zoti Norman.

Zoti Skarletos tha se: “Spencer vrapoi për gati 10 metra derisa e arriti dhe nuk e dinim nëse i funksiononte arma apo jo. Ai thjesht iu vërsul dhe do të kishte qenë i pari që do të goditej nga arma. Jemi shumë me fat që nuk u vra askush, në veçanti Spencer.”

Gjatë evidentimit të ngjarjes, autoritetet përshkrojnë se sulmuesi kishte qëlluar një person në një vagon tjetër, përpara se të hynte në vagonin ku ndodheshin zoti Norman dhe amerikanët.

Kur u vërsulën amerikanët, zoti Norman rikujton që mendoi se “Do të vdiste gjithsesi, kështu që po sulem edhe unë”. Ai thotë se vendosi të veprojë si anëtar skuadre me dy ushtarakët amerikanë dhe studentin. Sulmuesi luftoi me forcë

“Ndihmova t’i mbanim krahët”, thotë zoti Norman, ndërkohë që amerikanët ja lidhën krahët pas shpinës duke përdorur kollaren e tij.

XS
SM
MD
LG