Lidhje

Bie rubla ruse


Rënia e aksioneve në bursa që nga Evropa, në Azi e në kontinentin amerikan, ka shkaktuar panik tek investitorët dhe po ndjehet drejtpërdrejt edhe nga konsumatorët. Në Rusi tronditja është ndjerë edhe tek rubla e cila ka pësuar zhvlerësim të konsiderueshëm. Autoritetet paralajmërojnë për rënie të mëtejshme nëse vazhdojnë të bien çmimet e naftës.

Rubla ruse shënoi rënie të ndjeshme sot, në përgjigje të rënies së çmimit të naftës dhe problemeve në tregjet e aksioneve.

Me rënien e çmimeve të naftës, që përfaqëson pjesën më të madhe të të ardhurave buxhetore ruse, një goditje të rëndë ka marrë edhe monedha ruse, pjesërisht edhe si rezultat i sanksioneve perëndimore lidhur me krizën në Ukrainë, duke e bërë të vështirë që kompanitë ruse të marrin kredi jashtë vendit. Rusët tani po e ndjejnë efektin negativ.

“Pa dyshim që s’na pëlqen. Njerëzit tani janë më keq se më parë dhe nuk e dimë si do të jetë e nesërmja,” thotë Elena që banon në Moskë.

Shqetësimi kryesor është që problemet e rublës të mos shndërrohen në revolta sociale që mund të vënë në rrezik rendin:

“Njerëzit e kanë të vështirë. Mund të sjellë shumë pasoja. Mund të shkaktojë trazira. Uroj që të mos kemi përleshje. Por njerëzit janë shumë të pakënaqur,” thotë Svetlana, një pensioniste.

Rënia e rublës ka goditur edhe sektorin e turizmit. Numri i rusëve që dolën jashtë vendit për pushime ka rënë 40% këtë vit, pasi kostoja e jetesës në vend është rritur. Rënia e rublës e ka bërë valutën e huaj shumë më të shtrenjtë. Nikolai thotë se kur kishte shkuar për të shkëmbyer rubla me valutë të huaj, kursi i këmbimit ishte astronomik.

Nikolai, banor i Moskës

“Në rastin tim më dëmtoi për pushimet. Tani e kam më të vështirë të shkoj me pushime se sa gjashtë muaj më parë”.

Ministri i Ekonomisë Alexei Ulyukayev, tha sot se çmimi i naftës pritet të bjerë më tej, gjë që sinjalizon një dobësim të mëtejshëm të rublës. Kjo rënie ka ndihmuar eksportuesit e naftës, gazit dhe produkteve të tjera industriale ruse, por ka goditur rëndë importuesit dhe konsumatorët rusë.

Pritet që inflacioni në Rusi të shkojë mbi 20% këtë vit, një nivel i paparë gjatë presidencës së Vladimir Putinit, i cili erdhi në pushtet në vitin 2000 dhe e ka trumpetuar me të madhe stabilitetin ekonomik të vendit, pas viteve kaotike që pasuan shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.

"Kur shikon se çfarë masash po merr qeveria, të gjitha janë kufizime, refuzime, ndalime. Ata duhet të hapin mundësi, të krijojnë shanse që njerëzit të marrin inciativën. Por në realitet kemi vetëm kufizime. Duket se autoritetet po luftojnë për të mbijetuar, për të ruajtur pushtetin dhe jo në interes të ekonomisë”, thotë një tjetër moskovit..

Megjithë problemet, mbështetja për Presidentin Putin mbetet e lartë, që pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.

XS
SM
MD
LG