Lidhje

Një zonë e re industriale për teknologjinë e lartë


Industria amerikane e teknologjisë së lartë është e përqëndruar në Silicon Valley të Kalifornisë, një zonë shumë e zhvilluar në Gjirin e San Franciskos, ku kanë selitë kompanitë Google, Apple dhe gjigandë të tjerë të kësaj industrie. Por, kompani të reja teknologjike mund të gjenden edhe më në jug, në zonën përreth Los Anxhelosit. Silicon Beach është një zonë e re që po rivalizon Silicon Valley.

Kompania e quajtur VNTANA, që në spanjisht do të thotë “dritare”, është ndër kompanitë e reja të shumta pranë Los Anxhelosit. Me qendër në zonën bregdetare Santa Monica, ajo prodhon holograme tre-dimensionale për arsim, marketing, dhe argëtim. Ashley Crowder, është me kompaninë “VNTANA”.

“Ekranin mund ta montojnë dy njerëz në më pak se një orë, dhe mund të dërgohet kudo në botë.”

Sistemi mundëson lidhje të drejtpërdrejta dhe koncerte virtuale. Është ndërveprues dhe njerëzit mund të kontrollojnë nëpërmjet gjesteve imazhet e projektuara.

Ben Conway thotë se si shumë kompani në Silicon Beach, “VNTANA” shfrytëzon afërsinë me Hollivudin.

“Jemi fokusuar tek përmbajtja argëtuese. Është diçka që komuniteti i industrisë së argëtimit e kupton mirë.”

Silicon Valley është orientuar më shumë drejt teknologjisë, ndërsa Silicon Beach drejt argëtimit.

Por, ky sektor është i shumëllojshëm. Në një takim të këtyre kompanive të reja ishte edhe Matthew Goldman i firmës “Wallaby Financial”, e cila këshillon konsumatorët për llojet e kartave të kreditit që duhet të përdorin, bazuar mbi normat e interesit dhe ajo çka përfitojnë aty ku do bëjnë pazar. Aplikacioni funksionon nëpërmjet telefonave inteligjentë.

“Telefoni përcakton vendndodhjen tuaj dhe pasi komunikon me serverat tanë, ofron rekomandimet në kohë reale.”

Sektori teknologjik në Los Anxhelos shtrihet nga qyteti deri në bregdet dhe në rrethina. Analistët thonë se është e vështirë të matet përmasa e tij, pasi teknologjia përfshin shumë industri në Los Anxhelos. Sidoqoftë, Silicon Beach po mikpret qindra firma teknologjie, dhe rritet me shpejtësi.

XS
SM
MD
LG