Lidhje

Fushata presidenciale 2016


Nënpresidenti amerikan Joe Biden pritet të bëjë të njohur synimin e tij për të hyrë në garën presidenciale si kandidat demokrat. Kundërshtarët e tij republikanë si edhe demokratë të tjerë e mirëpresin hyrjen e politikanit me përvojë në garë, por tani për tani të paktë janë ata që e shohin si konkurrent serioz. Nga ana republikane, miliarderi Donald Trump vazhdon të diktojë porgramin politik, ndërsa ish-guvernatori i Floridës Jeb Bush po përpiqet që të rrisë mbështetjen.

Zoti Biden u takua për një drekë pune me Presidentin Barack Obama të hënën dhe u takua javën e kaluar me Senatoren liberale Elizabeth Warren të Masaçusetsit. Këto takime janë interpretuar si shenja të sigurta se zoti Biden do të shpallë kandidaturën pak para se të fillojnë debatet presidenciale mes demokratëve në tetor. Nëse hyn në garë, atij do t’i duhet të përballet me ish-sekretaren e Shtetit Hillary Clinton që kryeson dhe senatorin nga Vermonti Bernie Sanders.

“Joe Biden do të ishte një kundërshtar i denjë. Por nuk jam e sigurt se kush do të përfitonte politikisht”.

Anketat tregojnë se mbështetja për senatorin Sanders po rritet mes votuesve demokratë, madje është para Hillary Clintonit në shtetin vendimtar për garën, New Hampshire. Kandidati republikan Lindsey Graham thotë se nëse zoti Biden do të hyjë në garë, tani është momenti I duhur.

“Mendoj se ai sheh dobësi tek Sekretarja Clinton. Problemet e saj nuk vijnë thjesht nga emailet. Kur humbet besimin, mbetesh i ekspozuar si politikan”.

Zoti Biden do të ishte një rival më serioz për zonjën Clinton sesa senatori Sanders, pavarësisht nga përfundimet e anketave aktuale, thotë analisti Stewart Rothenberg.

“Ai mund të jetë një alternativë që mund ta sigurojë emërimin. Megjithatë, ai do të fillonte nga fundi. E vërteta është që ata që kritikojnë Sekretaren e Shtetit Clinton, qoftë në media, si edhe mes demokratëve dhe republikanëve, nuk përfaqësojnë bazën e Partisë Demokrate. Ata e pëlqejnë, janë dakord me të dhe mendojnë se ajo përfaqëson vlerat dhe pikëpamjet e tyre”.

Analistët gjithashtu nuk po i kushtojnë rëndësi Donald Trumpit si kandidat serioz presidencial, pavarësisht se ai vazhdon të kryesojë mes republikanëve.

“Ky është si cirk, si një shfaqje në Las Vegas, madje pothuajse si një spektakël dhe jo si politikë e vërtetë”.

Por cirk ose jo, thirrjet e Trumpit për t’I dhënë fund emigracionit të paligjshëm kanë gjetur jehonë me shumë amerikanë dhe rivali i tij kryesor Jeb Bush nuk po e injoron. Ish-guvernatori i Floridës shkoi në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës të hënën, një muaj pasi Trump bëri një vizitë të ngjashme.

XS
SM
MD
LG