Lidhje

Vazhdon emigrimi masiv drejt Evropës


Autoritetet hungareze arrestuan sot tre bullgarë dhe një afgan, të dyshuar për transportimin e 71 refugjatëve që u gjetën të vdekur në një kamion ditën e enjte. Ndërkohë, qindra emigrantë të tjerë vazhduan të mbërrijnë në Maqedoni për të udhëtuar më tej me tren drejt Serbisë dhe Evropës Perëndimore.

Rreth 500 emigrantë të tjerë, shumica nga Siria, mbërritën sot në Gjevgjeli, të Maqedonisë jugore, pranë kufirit me Greqinë dhe hipën në trenin që udhëton drejt Serbisë.

Udhëtimi me këtë tren është organizuar nga qeveria maqedonase, për të siguruar transportin e tyre drejt Serbisë jugore, ku do të mbahen në kampe të përkohshme.

Maqedonia i ka ndërprerë përpjekjet për të penguar me forcë prurjet e refugjatëve nga Siria. Pas disa ditësh kaosi dhe përdorimi force nga policia, tashmë autobuzë dhe trena janë vënë në shërbim të transportimit të emigrantëve. Shumica vazhdojnë të vijnë nga toka greke, ku janë transportuar me anije prej ishujve grekë ku mbërrijnë fillimisht nga bregdeti i Turqisë.

Sipas Kombeve të Bashkuara, mijëra emigrantë të rinj pritet të mbërrijnë çdo ditë në Maqedoni për të shtegtuar përmes Ballkanit Perëndimor drejt Evropës. Duke u përpjekur për një jetë më të mirë larg konfliktit dhe paqëndrueshmërisë politike, pjesa më e madhe synojnë të vendosen në Gjermani. Stacioni i tyre i fundit për të shkelur në zonën e lëvizjes së lirë Shengen është Hungaria, e cila ka vendosur të forcojë kufijtë dhe të ndërtojë një gardh me tela me gjemba.

Sipas Organizatës Botërore të Emigracionit, rreth 350 mijë emigrantë kanë kaluar tashmë Mesdheun drejt Evropës jugore. Dy të tretat kanë mbërritur fillimisht në Greqi dhe pjesa tjetër në Itali. Rreth 2.636 prej tyre kanë humbur jetën gjatë udhëtimit.

XS
SM
MD
LG