Lidhje

Komuniteti romë në Francë


Planet për të shkatërruar geton më të vjetër të Francës janë bërë shkak për protesta nga ana e banorëve të saj romë. Siç njofton Lisa Bryant nga periferia La Courneuve e Parisit, grupet e të drejtave të njeriut argumentojnë se ky komunitet shërben si një eksperiment i brishtë për integrimin e romëve, të cilët shpesh shihen si të huaj në shumë pjesë të Evropës.

Askush nuk zgjodhi për të jetuar këtu, por për 300 banorët e lagjes së varfër Samaritën, kryesisht romë nga Rumania perëndimore, kjo është e vetmja shtëpi që kanë. Ditët e tyre këtu mund të numërohen - ka plane për t’i nxjerrë ata deri në fund të muajit.

Romët dhe mbështetësit e tyre po kundërshtojnë, duke mbajtur takime për mbrojtjen e shtëpive – siç është ky në kishën Ungjillore në Samaritën.

Arkitektja Fiona Meadows është pjesë e një shoqate që ofron një tjetër mundësi.

"E vetmja gjë që duam të bëjmë është që për dy - tre vjet, t’i ndihmojmë në mënyrë që të fitojnë të holla të mjaftueshme, të bëhen evropianë normalë dhe të dalin nga lagje të tilla të varfëra.”

Shoqata dëshiron të përmirësojë strehimin, ndërtimin e WC-ve dhe heqjen e mbeturinave. Duke pasur një adresë fikse, fëmijët romë mund të shkojnë në shkollë dhe prindërit e tyre mund të gjejnë punë. Kjo do t’i lejojë të lëvizin jashtë lagjes, për strehim dhe jetë më të mirë.

Por kryetari i komunës La Courneuve , Gilles Poux thotë se kjo lagje nuk mund të qëndrojë, është e papastër dhe e pasigurt. Ai thotë se është në dorë të shtetit, jo të pushtetit vendor, për të gjetur zgjidhje për romët.

Ai nuk pranoi të intervistohej nga Zëri i Amerikës, por një banor, Mustafa Maboub beson se kryetari i komunës ka të drejtë në një pikë.

"Njerëzit përrreth janë ankuar për romët, dhe kryetari i komunës nuk ka çfarë të bëjë, por t’i dëbojë. "

17-vjeçari rom Jozef Farkash ka filluar të mbledhë firma për një peticion për të shpëtuar lagjen, dhe deri tani ka siguruar rreth 37-mijë nënshkrime.

"Njerëzit këtu duan një jetë ndryshe, duan të jenë pjesë e Francës, të punojnë, të kenë një vend për të jetuar, dhe të shkojnë në shkollë. Ata nuk duan të dëbohen."

Franca është kritikuar gjerësisht për politikat e saj ndaj rreth 20-mijë romëve që jetojnë në këtë vend. Mijëra janë deportuar çdo vit. Por, për mbështetësit e tyre, Samaritën mund të bëhet model, dhe zgjidhje për një problem të madh evropian.

XS
SM
MD
LG