Lidhje

Qindra refugjatë futen në Maqedoni


Qindra refugjatë kanë kaluar sot nga Idomeni i Greqisë në Gjevgjeli të Maqedonisë, ku për disa orë ata qëndrojnë në kamp dhe më pas marrin rrugën me tren ose autobusë drejt Serbisë, duke pasur si destinacion të fundit vendet e Evropës perëndimore, në veçanti Gjermaninë.

Shumica e refugjatëve dhe emigrantëve thonë se vijnë nga zonat e luftës në Siri. Ata kalojnë nëpër situata tepër të vështira, në udhëtimin e tyre, ndërkohë që shpenzojnë nga disa mijë dollarë për të mbërritur vetëm deri në Maqedoni.

Në Gjevgjeli ndodhen aktivistë të Agjensisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe Kryqi i kuq si dhe ndonjë organizatë lokale humanitare, por gjendja e këtyre njerëzve duket mjaft e vështirë.

Një zyrtar i Human Rights Wach duke folur për Zërin e Amerikës, e përshkruajti gjendjen si kaotike, ku mungonte uji i pijshëm dhe kujdesi i duhur për refugjatët. Vëzhguesit thonë se mbrëmë ka patur një përleshje midis policisë greke dhe refugjatëve për shkak të problemit me transportin.

Zakonisht janë dy ose tre trena në ditë me refugjatë dhe emigrantë që nisen nga Gjevgjelia për në Tabanoc, në kufirin me Serbinë. Refugjatët po ashtu përdorin edhe autobusët ose taksitë si mjet transporti.

Në mesin e këtyre njerëzve duket se po shtohet numri i grave dhe i fëmijëve, për dallim prej pak javëve më parë kur refugjatët ishin në shumicë, meshkuj.

Në kampin e Gjevgjelisë vazhdimisht po punohet në ndërtim të kapaciteteve për pranim dhe kjo lë të kuptohet se numri i refugjatëve mund të jetë duke u shtuar.

XS
SM
MD
LG