Lidhje

Eklipsi i rrallë i Superhënës


Pas vizitës së Papës në Shtetet e Bashkuara, pa patur lidhje me të, do të ndodhë një ngjarje spektakolare qiellore: eklipsi i Hënës dhe njëkohësisht fenomeni i Superhënës, kur Hëna e plotë ndodhet në pozicionin më të afërt me Tokën. Korrespondentja e Zërit të Amerikës

Rosanne Skirble na sugjeron që t'i drejtojmë sytë nga qielli në perëndim të Diellit të dielën, më 27 shtator, ose të hënën, më 28 shtator, para lindjes së Diellit, në varësi të vendit ku jetoni.

Kur ndodh eklipsi hënor, Hëna kalon nëpër hijen e Tokës. Këtë herë, kemi një eklips të veçantë, Hëna e plotë duket më e ndritshme dhe më e madhe, ngaqë ndodhet më pranë Tokës se sa çdo herë tjetër në orbitën e saj.

“Hëna do të shndërrohet nga shumë e ndritshme, në një ngjyrë të kuqe të mrekullueshme, nga efekti i lindjes dhe perëndimit të Diellit në Tokë, që projektohen tek sipërfaqja e Hënës."

Hera e fundit kur fenomeni i Superhënës përkoi me eklipsin e Hënës, ishte në vitin 1982.

NASA merret me studimin e Hënës, që nga fillimi i programit Apollo në vitet 1960. Në vitet e mëvonshme, Agjencia e Hapësirës grumbulloi të dhëna përmes një anieje orbitale për studimin e Hënës, e cila fluturon deri 20 kilometra mbi sipërfaqen e saj.

“Shohim krijimin e kratereve të reja në 6 vitet e studimit tonë. Të dhënat tregojnë për lëvizje të ujit në sipërfaqe. Jo një sasi e madhe uji, por megjithatë, pikëpamja se Hëna është një planet statik, pa ndryshime, ka ndryshuar tërësisht."

Disa shkëmbinj në Hënë janë krijuar 4,5 miliardë vjet më parë, në historinë më të hershme të Sistemit tonë Diellor.

"Kur i hedhim një vështrim Hënës, ne në fakt jemi njëkohësisht duke mësuar për Tokën dhe unë mendoj se mund të mësojmë shumë se si ka ndryshuar planeti ynë dhe të gjithë planetet e tjerë në vite. Pra, me qëllim që të kuptojmë se çfarë ka ndodhur me planetet pas formimit të tyre, studimi i sipërfaqes së Hënës është një nga zonat më të mira dhe më interesante për ta bërë këtë."

Eklipsi i Superhënës do të mund të shihet të dielën pas perëndimit të Diellit në Amerikën Veriore dhe në të gjithë Amerikën Jugore, si dhe para lindjes së Diellit të hënën në Europë, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë. Eklipsi i ardhshëm i Superhënës do të jetë në vitin 2033.

XS
SM
MD
LG