Lidhje

Takimi Obama – Putin


U.S. President Barack Obama and Russian President Vladimir Putin meet at the United Nations General Assembly in New York, Sept. 28, 2015.
U.S. President Barack Obama and Russian President Vladimir Putin meet at the United Nations General Assembly in New York, Sept. 28, 2015.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe Presidenti rus, Vladimir Putin, mbajtën dje qëndrime krejt të ndryshme për dy zona konflikti, Sirinë dhe Ukrainën. Këto dy çështje mbizotëruan edhe takimin e dy udhëheqësve, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, i pari i këtij lloj pas gati dy vitesh.

Pamjet flisnin qartë.

Presidenti Obama dhe homologu i tij rus Vladimir Putin patën dje një shtrëngim duarsh të sforcuar, para fillimit të takimit që do të zgjaste mbi një orë e gjysëm.

Takimi u zhvillua disa orë pasi të dy udhëheqësit mbajtën qëndrime të papajtueshme për konliktin dhe për rolin që luan në të Bashar al-Assad.

Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Presidenti Obama e quajti presidentin sirian një tiran që “hedh fuçi bombash për të masakruar fëmijë të vegjël”.

Ai i bëri thirrje OKB-së të marrë një qëndrim të bashkuar për një tranzicion politik në Siri pa Assadin.

“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bashkëpunojnë me çdo vend, edhe me Rusinë dhe Iranin, për të zgjidhur konfliktin. Por, duhet të kuptojmë se pas kaq shumë gjakderdhjeje dhe masakrash, nuk mund të ketë një rikthim në status kuonë e paraluftës.”

Dy orë më vonë, zoti Putin kritikoi nga e njëjta foltore përpjekjet e udhëhequra nga SHBA kundër grupit Shteti Islamik dhe justifikoi zgjerimin e mbështetjes ushtarake ruse për Sirinë dhe udhëheqësin e saj.

“Mendojmë se është një gabim shumë i madh të mos bashkëpunohet me qeverinë siriane dhe me forcat e saj të armatosura, të cilat po e luftojnë ballë për ballë dhe me trimëri terrorizmin. Duhet ta pranojmë se askush nuk po e lufton vërtet Shtetin Islamik, përveç forcave të armatosura të Presidentit Assad dhe milicisë kurde.”

Dy udhëheqësit u ndeshën edhe për situatën në Ukrainë. Presidenti Obama denoncoi aneksimin nga Rusia të Krimesë dhe agresionin që po vazhdon ndaj pjesës lindore të vendit.

“Nuk mund të qëndrojmë duarlidhur kur sovraniteti dhe integriteti territorial i një kombi dhunohet në mënyrë flagrante. Nëse kjo që i ndodhi Ukrainës kalon pa pasoja, atëherë mund t’i ndodhë secilit prej vendeve të përfaqësuara sot këtu.”

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Obama i përsëriti këto shqetësime gjatë bisedimeve dypalëshe me zotin Putin, duke theksuar shqetësimin për moszbatimin e marrëveshjes së paqes të arritur në Minsk.

Ish-ambasadori amerikan në Ukrainë, Steven Pifer:

“Nuk ka shenja se rusët po i nxisin separatistët të zbatojnë parashikimet e marrëveshjes së Minskut, kështu që ky është një shans që Presidenti Obama të dërgojë një mesazh të fortë.”

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e përshkroi takimin 90-minutësh si një takim pune produktiv, ku palët mbajtën qëndrime të kundërta për rolin e Assadit në Siri, por ranë dakort që forcat ushtarake amerikane dhe ruse duhet të komunikojnë për të shmangur konflikte të mëtejshme në rajon.

XS
SM
MD
LG