Lidhje

Snowden në Twitter


Snowden, ish kontraktori i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare, i cili nxori sekretet e programeve amerikane të survejimit, postoi të martën këtë frazë në Twitter: “A më dëgjoni tani?”

Kompania Twitter e verifikoi autorin.Për një orë, ish kontraktori tërhoqi 185 mijë njerëz që ndjekin postimet e tij në Twitter. Por, ai po ndjek vetëm një numër llogarie në Twitter, atë të ish punëdhënësit të dikurshëm, Agjencisë Kombëtare të Sigurisë.

Tek profili i tij në Twitter, Snowden e përshkruan veten duke thënë, “Unë dikur punoja për qeverinë. Tani punoj për publikun.”

Kur arriti mbrëmja e së martës, Snowden kishte më shumë se 600 mijë të abonuar, duke tejkaluar punëdhënësin e dikurshëm me 93 mijë më shumë.

Edward Snowden ishte kontraktor për firmën Booz Allen Hamilton kur i ofroi të dhëna sekrete gazetës britanike “The Guardian” dhe asaj amerikane “The Washington Post”.Njoftimet e para u publikuan në qershorin e vitit 2013, duke ndezur një debat të menjëhershëm global.

Mbështetësit e shohin atë si veprimtar, si personin që vuri alarmin duke ekspozuar teprimet e qeverisë, por nga ana tjetër, qeveria amerikane ka ngritur akuza spiunazhi ndaj tij për nxjerrje sekretesh. Ai përballet me deri 30 vjet burg, nëse gjendet fajtor.

Të hënën, Snowden përmes një vdeo-konference me Komitetin e Leksioneve në Universitetin Ioua, u shpreh edhe për punën që po bën ai me Fondacionin e Lirisë së Shtypit.

“Ne shohim sot gjëra që vetëm një dekadë më parë do të kishin çuar politikanë të lartë në bankën e të akuzuarve, ku një juri do të gjykonte aktivitetet e tyre, tashmë kjo nuk përbën as lajmin kryesor të gazetave.”

Edward Snowden braktisi Shtetet e Bashkuara në maj të vitit 2013 dhe që atëherë ai ka gjetur strehë në Rusi si azilant. Avokatët e tij janë përpjekur të negociojnë një marrëveshje që do t’i lejonte atij të kthehej në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG