Lidhje

Në Çikago fillon reagimi kundër refugjatëve sirianë


Për refugjatët sirianë që po kërkojnë shtëpinë e tyre të re në qytetin Çikago të shtetit Illinois, thirrjet kundër po i japin një tjetër pamje udhëtimit të tyre të gjatë për t’iu larguar luftës. Organizatat që po punojnë për integrimin e tyre thonë se kundër-reagimet që nga sulmet e Parisit janë edhe të dëmshme, por edhe ndihmojnë ndonjëherë në përpjekjet për t’iu gjetur strehë.

Jeta në Aleppo gjatë luftës civile në Siri ishte e rrezikshme për Asmat Khalil Dadon dhe familjen e tij.

“Avionët dhe helikopterët hidhnin bomba çdo ditë. Nuk e dinim se kur do të vinte katastrofa.”

Në 2011-ën, familja Dado iu largua plumbave dhe bombave në Siri. Në fillim të këtij viti u vendos në SHBA dhe filluan t’i përshtaten jetës në mjedisin e ri. Por, pas sulmeve terroriste të Parisit, prezenca e refugjatëve është nën vëzhgim.

“Ka një vajzë të gjymtuar dhe tre djem adoleshentë, dhe po kërkojnë një mjedis të sigurtë. Nuk dëshiron të ndjehet i pamirëpritur. Duhet t’i mirëpresim këta njerëz që kanë humbur gjithçka dhe kanë ardhur këtu në SHBA.”

Suzanne Akhras është drejtore e Rrjetit të Komunitetit Sirian, që i ndihmon të integrohen në shtetin Illinois. Guvernatori Bruce Rauner është ndër 31 guvernatorët republikanë që pas sulmeve të Parisit kërkojnë pezullimin e zhvendosjeve të refugjatëve sirianë në shtetet e tyre.

“Nuk ka një precedent ligjor për të mos mirëpritur refugjatët në shtetet e tyre, kështu që nuk mendoj se e kanë hapësirën ligjore, por thjesht i bëjnë të mos ndjehen të mirëpritur.”

Këshilli i qytetit të Çikagos kritikoi guvernatorin Rauner dhe miratoi një rezolutë që garanton se qyteti vazhdon të jetë strehë e sigurtë për refugjatët.

Por, mbështetësit e masës ndaluese kundër refugjatëve sirianë janë të shqetësuar se sistemi i kontrollit nuk është i fortë sa ç’duhet.

“Mendoj se sistemi ynë i kontrollit është i rreptë dhe ne duhet t’i besojmë.”

U deshën rreth tre vjet kontroll për familjen Dado për të marrë miratimin përfundimtar për të shkuar në SHBA.

“Ka njerëz që kanë pritur edhe 17 vjet për të ardhur në SHBA si refugjatë. Pra, procesi nuk është aq i shpejtë sa ç’duhet.”

Rreth 130 refugjatë kanë mbërritur në Illinois gjatë këtij viti, dhe zonja Akhras thotë se do të priten edhe 50 të tjerë. Sipas Departamentit të Shtetit, në Illinois janë vendosur 169 refugjatë nga Siria që nga viti 2010.

XS
SM
MD
LG