Lidhje

Ndryshimet klimatike favorizojnë verërat britanike


Klima ka qënë faktori kryesor që prodhimi i verës në Britani të mos merrej seriozisht. Moti i ftohtë dhe i lagësht nuk ofronte shumë rreze dielli që rrushi të piqej si duhet. Por temperaturat globale në rritje dhe angazhimi serioz i vreshtarëve kanë çuar në prodhimin e verërave me cilësi të lartë dhe kryesisht verërave të bardha të gazuara.

Nën një qiell të vrenjtur, fermerët vjelin rrushin e pjekur në vreshtën Three Choirs në Gloucestershire. Dikur, askush nuk shërbente verë angleze të gazuar. Por kjo vreshtë me një sipërfaqe prej 30 hektarësh është ndër më të mëdhatë në vend që prodhon afërsisht 250 mijë shishe verë në vit. Po ashtu bën edhe paketimin në shishe vere për shumë prodhimtarë të vegjël.

Thuhet se mbretëresha i serviri presidentit Obama një verë britanike gjatë banketit shtetëror në vitin 2011. Po ashtu vera angleze ishte edhe në menunë e dasmës së Williamit me Kate një vit më vonë. Edhe kryeministri kinez Xi Jinping po ashtu provoi këtë verë gjatë darkës shtetërore në tetor në Pallatin Buckingham. Tom Stevenson është ekspert për verën dhe autor.

“Ky rajon vere është transformuar dhe është ndër rajonet më të rëndësishme për verërat e gazuara këtu dhe në mbarë botën. Kjo është arritur në vreshtat më të reja dhe po të kthehemi në vitin 2000 këtu nuk kishte vreshta të llojeve shardone, pinot-nuar dhe jo më të flitej për rezerva vere. E ardhmja këtu duket edhe më e mirë.”

Shitjet e verërave angleze të gazura janë të fuqishme dhe madje po konkurrojnë mjaft mirë. Këtë vit, verërat angleze kanë fituar 100 çmime ndërkohë që 8 vite më parë rrallë fitonin ndonjë çmim.

Verërat angleze janë prezantuar mirë në këtë panair ndërkombëtar vere në Londër duke u renditur përkrah verërave franceze, italiane apo spanjolle.

Sipërfaqet me vreshta janë shtuar mesatarisht 11 për qind në vit gjatë dekadës së fundit. Tani numërohen 470 vreshta dhe 135 kantina komerciale të cilat prodhuan vitin e kaluar 6.3 milionë shishe verë.

Julia Tristram Eve, shefe marketingu e shoqatës Prodhuesit Anglezë të Verës, thotë se aktualisht më pak se 10 për qind e verës eksportohet, por kjo po ndryshon me disa prodhues që synojnë t’i eksportojnë prodhimet e tyre jashtë vendit.

“Fakti që vlerësohen shumë mirë në konkurse ndërkombëtare është dëshmi se vreshtarët anglezë janë në nivelin e duhur. Mendoj se tregjeve do t’u pëlqejë vera britanike. Kemi reputacion të mirë për prodhimet tona dhe kështu po fillojmë të futemi në tregjet ndërkombëtare me verërat e cilësisë së lartë.”

Kevin Shayle, menaxher në kantinën e verës Three Choirs, thotë se verërat angleze janë popullore për shijen e tyre më të butë.

“Verërat britanike janë më të lehta dhe më delikate. Përbërja e alkoolit është më delikate dhe më e lehtë. Kjo do të thotë se njerëzit po largohen nga verërat e forta dhe po kërkojnë diçka ndryshe.”

Më tutje në jug në Dorkin, vreshtat e mbjella 30 vjet më parë me varietete të përshtatshme për temperaturat më të ftohta angleze po zëvendësohen me vreshta që u përshtaten më mirë klimës më të ngrohtë. Ndoshta ky është edhe efekti i ngrohjes globale.

Profesori Richard Selley i Departamentit të Ekologjisë dhe Inxhinierisë në Kolegjin Imperial, ka studiuar ngritjen dhe rënien e vreshtarisëangleze dhe luhatjen e temperaturave që nga kohët e romake. Ai thotë se ndryshimet klimatike po japin një efekt të ndjeshëm në vreshtaritë e mbarë kontinentit evropian.

Efektet e ndryshimeve klimatike po vërehen në vreshtarinë evropiane. Vreshta në jug të Francës dhe në Spanjë, Itali dhe Greqi po braktisen sepse moti është shumë i ngrohtë. Vreshtat në zonat e ulta po zhvendosen në zona më të larta ku është më ftohtë. Me pak fjalë po shohim një migrim verior të vreshtarisë.”

Varietetet e sotme si Sauvignon Blanc, Pinot Noir dhe Chardonnay po rriten mjaft mirë në Angli, diçka e paimagjinueshme në të kaluarën. Sipas parashikimeve, ndërsa temperaturat rriten në pjesën jugore, vreshtat mund të zhvendosen drejt Skocisë.

XS
SM
MD
LG