Lidhje

Facebook: Debat mbi vaksinat


Mark's photo
Mark's photo

Shefi ekzekutiv i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, duket se e ka bërë të qartë se ku qëndron në çështjen e vaksinimit të fëmijëve.

Miliarderi ka postuar një foto në faqen e tij në Facebook, ku ai del duke mbajtur në duar vajzën e tij Maksima, me shënimin: "Vizitë tek mjeku - koha për vaksina". Fotoja ka marrë më shumë se tre milionë pëlqime.

Postimi i fotos ka rindezur një debat në Shtetet e Bashkuara në lidhje me çështjen nëse vaksinat e fëmijërisë janë të rrezikshme. Shumë nga ata që janë kundër vaksinës, kanë komentuar nën këtë foto.

"Injektimi i të sapolindurve dhe foshnjave me sëmundje dhe neurotoksina është shkencë e neveritshme që lëndon miliona çdo vit", shkruan një person.

Ndërsa një tjetër që është kundër vaksinave thotë: "Autizmi, encefaliti, dëmtimi i trurit, çrregullimet auto-imune, astma, alergjitë, çrregullim bipolar... Gjithë këto sëmundje neurologjike dhe të tjera në 35 vjetët e fundit! Mendoni! E vetmja gjë që këta fëmijë kanë të përbashkët është vaksinimi!"

Lëvizja kundër vaksinimit mendohet se filloi me një dokument shkencor të vitit 1998 që sugjeronte një lidhje mes vaksinave dhe autizmit. Artikulli, i cili u botua në revistën e njohur shkencore, Lancet tërhoqi akuzat se të dhënat janë të falsifikuara.

Shumë mjekë thonë se vaksinat janë mënyra më e mirë për të ndaluar përhapjen e sëmundjeve si gripi, poliomieliti dhe fruthi. Shumica e dhjetëra mijëra komenteve në foton e Zuckerbergut janë përkrahëse.

"Falemnderit që tregoheni një person i zgjuar dhe bëni atë që është më mirë për fëmijën tuaj dhe komunitetin. #saveallthebabies," shkruan një person.

Komenti më i pëlqyer me gati 40 mijë klikime, thotë: "Si person me autizëm, me një djalë me autizëm, si dikush që vazhdimisht shikon njerëzit e mirë të vënë fëmijët e tyre në rrezik serioz për shkak të frikave të vjetra e mashtruese të vaksinave dhe autizmit .. . ju falënderoj që jeni i ndjeshëm. Falemnderit që bëni atë që është e drejtë dhe që u tregoni të tjerëve se kjo gjithashtu është gjëja e drejtë të bësh".

XS
SM
MD
LG