Lidhje

DIA-CEZ, letër e studios së huaj ligjore


Clifford Chance ju drejtua autoriteteve pas mbylljes së arbitrazhit me DIA-n. Akuzat e ngritura ndaj kryetarit të parlamentit Ilir Meta, studio ligjore: Nuk disponojmë asnjë të dhënë që e lidh zotin Meta me veprimet korruptive të DIA-s

Në Shqipëri, studioja ligjore Clifford Chance, e cila mbrojti interesat e shtetit shqiptar në arbitrazhin kundër kompanisë DIA, i ka dërguar një letër ministrit të Energjisë Damian Gjiknuri dhe kompanisë së shpërndarjes së energjisë në përfundim të procesit i cili u mbyll në favor të palës shqiptare. DIA është kompania e cila në vitin 2010 lidhi një marrëveshje me grupin cek CEZ, i cili në atë kohë administronte operatorin e sistemit të shpërndarjes, për mbledhjen e borxheve të prapambetura të energjisë nga klientët e kompanisë së shpërndarjes. Pasi marrëdhëniet mes tyre u prishën DIA e coi cështjen në arbitrazhin ndërkombëtar duke kërkuar një dëmshpërblim prej mbi 130milion eurosh.

Cështja DIA-CEZ u kthye në shtator të vitit të shkuar në një temë debati të nxehtë politik pas publikimit të një dokumenti që studio ligjore kishte paraqitur gjatë fazës së procesit të arbitrazhit, në të cilin shpjegonte se pasi kishte gjurmuar lëvizjet e parave mes DIA-s dhe CEZ-it rezultonte se një pjesë e tyre kishin shkuar për të paguar politikanë shqiptarë, përfshirë dhe një ish kryeministër të akuzuar më parë për korrupsion dhe një ish zyrtar të ERE-s. Shkrimi i publikuar nga Rrjeti i gazetarisë investigative në Ballkan, BIRN, e lidhte ish kryeministrin e përmendur në dokument, me emrin e zotit Ilir Meta. Ky i fundit mohoi kategorikisht të ishte përfshirë në këtë cështje. Në atë kohë përmes Avokaturës së Shtetit, studioja ligjore gjithashtu saktësoi se emri i zotit Meta nuk ishte përmendur në asnjë rast.

Edhe në letrën e cila u shpërnda sot për mediat, Clifford Chance shkruan se “është për të ardhur keq që natyra jo-publike e procesit të arbitrazhit është dhunuar, kur disa nga parashtrimet tona rrodhen në drejtim të shtypit për arsye të ndryshme politike dhe disa përfaqësues të medias lidhën emrin e të nderuarit Kryetar të Parlamentit të Shqiperisë me akuzën e korrupsionit. Kjo gjë ka qenë qartësisht e pajustifikueshme mbi bazën e parashtrimeve tona. Ne mund t’ju sigurojmë – vijon më tej letra - që nuk disponojmë asnjë të dhënë që e lidh zotin Meta me veprimet korruptive të DIA-s apo të administratorëve të saj të shkuar apo aktuale”.

E kontaktuar nga Zëri i Amerikës, agjencia BIRN, e cila ka shkruar dhe dy artikuj të tjetër për cështjen CEZ-DIA thotë se “BIRN Albania i qëndron shkrimeve të saj të mëparshme mbi çështjen CEZ-DIA. Shkrimet e BIRN janë bazuar në dokumente të shumta gjyqësore të dorëzuara në Gjykatën e Arbitrazhit në Vienë nga firma ligjore Clifford Chance, dokumente të Prokurorisë Shqiptare si dhe në burime njerëzore të personave kyç. Shkrimet e saj kanë respektuar standardet më të larta të gazetarisë, përfshirë dhe të drejtën e përgjigjes nga ana e zotit Meta përpara publikimit të tyre”.

Për debatin CEZ-DIA opozita kërkoi dhe një hetim ndërkombëtar. Por kërkesa u rrëzua nga shumica gjatë procedurave parlamentare. Pavarësisht se ndaj kujt ishin dyshimet e ngritura nga studioja ligjore, as qeveria nga ana e saj, nuk i kërkoi Prokurorisë, e cila kishte ndërkohë në process hetimor administratorin e DIA-s, një hetim edhe mbi faktet që vetë avokatët që mbronin interesat e saj, thonin se kishin zbuluar.

XS
SM
MD
LG