Lidhje

Refugjatët në Gjermani


Vullnetarët vendas thonë se sistemi i kujdesit social në kryeqytetin gjerman po rëndohet nga numri i madh i emigrantëve që aplikojnë për azil. Ata u kërkojnë autoriteteve lokale të ndërmarrin hapa urgjente për të zgjidhur situatën e krijuar në kushte jonjerëzore në zyrën qendrore të regjistrimit.

Zyra e shërbimit social në Berlin është vendi ky ëndrrat e emigrantëve për një jetë të re në Gjermani përballen me realitetin.

Tenda të mëdha janë ngritur për të regjistruar emigrantët.

Një refugjat nga Afganistani ka pritur që në orën 8 të mëngjesit. Sapo arrin në krye të radhës, i thuhet të vijë sërish të nesërmen.

“Vij që në mëngjes dhe sapo mbërrij tek sporteli, më thonë të vij prapë nesër. Vij të nesërmen dhe sërish e njëjta gjë.”

Kaosi në këtë qendër regjistrimi vazhdon prej muajsh.

Shumë prej njerëzve thonë se kanë ardhur këtu çdo ditë prej disa javësh. Një adoleshent afgan, Mohamed, thotë se ka qëndruar këtu për 24 ditë, pa ndihmë dhe pa të ardhura.

Ekipe vullnetarësh shpërndajnë ushqim dhe pije. Rroba të dhuruara nga publiku mbërrijnë herë pas here.

“Është dimër tashmë në Gjermani, dhe njerëzit mbërrijnë pa këpucë. Ka foshnja të pambathura, pa xhaketa, apo doreza.”

Zoti Kettler akuzon qeverinë gjermane se nuk po kujdeset për refugjatët.

“Gjermania nuk mundet t’i mirëpresë të gjithë, por BE-ja ka fuqinë financiare. Duhet të jenë më fleksibël dhe më të shpejtë.”

Ka zhgënjim ndërmjet refugjatëve. Disa lavdërojnë ndihmën që iu është dhënë.

“Më dhanë rroba dhe këpucë. Është vendi më i mirë për mua.”

Gjermani është vërtet vendi më i mirë për miliona refugjatë. Por, numrat e lartë të refugjatëve rrezikojnë të dëmtojnë sistemin që është ndërtuar për të ofruar ndihmën bazë.

XS
SM
MD
LG