Lidhje

Shpallet emergjenca për virusin Zika


Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli gjendje emergjence për virusin Zika, të bartur prej mushkonjave dhe që shkakton defekte serioze në lindjen e foshnjave.

Ekspertët thonë se komuniteti shëndetësor po përgatitet për më të keqen, madje edhe për një epidemi. 25 vende kanë raportuar raste të virusit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se ka përhapja e virusit Zika në kontinentin amerikan është në gjendjen e një shpërthimi.

Megjithëse simptomat janë dytësore, si grip dhe skuqje të lëkurës, ekspertët mendojnë se ka gjasa që virusi shkakton mikrocefali, një difekt në lindje që sjell si pasojë foshnja me kokë të vogël dhe tru të pazhvilluar.

Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Ngjitëse, thotë se do të duhen vite përpara se të jetë gati një vaksinë për publikun. Ai thotë se deri atëherë, mënyra për ta luftuar sëmundjen është kontrolli i mushkonjave.

“Mund të eliminohen mushkonjat dhe larvat e tyre nëpërmjet insekticideve, ose nëpërmjet parandalimit duke pastruar ujin e ndenjur.”

Zoti Fauci thotë se publiku duhet shmangë mushkonjat, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe duke u lyer me solucion kundër mushkonjave.

OBT-ja do të vendosë nëse duhet të klasifikojë përhapjen e virusit si një emergjencë për shëndetin publik.

“Përfshirja e OBT-së do të përshpejtojë punën kërkimore për teste diagnostikuese më të mira, për ilaçe antivirale - në veçanti për gratë që janë shtatzëna, pasi shumica e njerëzve të tjerë e kalojnë vetë -, si dhe për zhvillimin e një vaksine.”

Dr. Beth Bell, e Qendrës për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve - CDC, thotë se mund të rrezikohen edhe zona të tjera. Dy prej 25 vendeve që kanë raportuar raste të virusit Zika, gjenden jashtë territorit të Amerikave – Samoa dhe Kepi i Gjelbërt.

“Këto lloj virusesh mushkonjash kanë fatkeqësisht kapacitetin të përhapen me shumë shpejtësi. Ka disa faktorë të ditëve moderne që ndihmojnë përhapjen, si urbanizimi, qytetet e mëdha dhe udhëtimi ndërkombëtar.”

CDC-ja ka publikuar një paralajmërim për udhëtimin drejt vendeve të prekura, në veçanti për gratë shtatzëna, të cilat mund t’ja përcjellin virusit foshnjave të tyre. Disa vende kanë marrë masa shtesë, si p.sh. El Salvadori, ku zëvendësministri i shëndetësisë u ka bërë thirrje grave të shmangin barrën deri në vitin 2018.

XS
SM
MD
LG