Lidhje

Shkodër, arrestohet kreu i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme


Policia e Shkodrës njoftoi sot në mesditë ndalimin e kreut të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Shkodër, Shkëlzen Berisha. Ndalimi i tij u bë me urdhër të Prokurorisë së Shkodrës nën dyshimin se ka konsumuar elementët e veprës penale ”shpërdorimi i detyrës” dhe ”kallëzimi i rremë”.

Ndalimi i drejtuesit të ZVRPP Shkodër lidhet me regjistrimin fiktiv të një sipërfaqeje prej 8000 m2 në Theth, një nga zonat më të njohura të turizmit malor në Shqipëri.

Sipas organit të akuzës, nga veprimet proceduriale të deritanishme, Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshime të arsyeshme se regjistruesi Shkëlzen Berisha, në bashkëpunim me topografin dhe juristin e Hipotekës, kanë regjistruar një pronë shtetërore prej 8000 m2 në fshatin Theth në emër të një shtetasi, i cili as nuk kishte aplikuar dhe as nuk ka pretendime për atë sipërfaqe. Në lidhje me këtë çështje, gjykata ka vendosur masën e arrestit në burg për juristin e kësaj zyre dhe masën detyrim paraqitje për topografin e saj.

Vetëm 10 ditë më parë, Kontrolli i Lartë i Shetit kallëzoi në Prokurori 14 zyrtarë të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Shkodër, mes të cilëve edhe për 4 ish drejtuesit e saj të mëparshëm, të cilët, sipas KLSH kanë dhënë çertifikata pronësie për prona nën sekuestro.

Ndaj tyre rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik me vlere prej 5.8 milionë lekësh.

Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adritik Llalla, gjatë analizës vjetore të punës së Prokurorive të Shkodrës, Kukësit dhe Lezhës, zhvilluar pak ditë më parë në Shkodër, tërhoqi vemendjen rreth rasteve të shumta të abuzimit me pronat shtetërore në Shkodër dhe Lezhë.

Gjatë viteve të fundit, një numër jo i vogël zyrtarësh të hipotekave apo komisioneve të regjistrimit të pronave janë arrestuar në Shqipëri nën akuzën e abuzimit me pronat shtetërore, sidomos në zonat turistike, por pjesa më e madhe prej tyre janë lënë të lirë nga gjykatat.

XS
SM
MD
LG