Lidhje

Masakra në Elbasan ende pa autorë


Policia vendos shpërblim prej 3 milion lekësh për këdo që jep informacion për ngjarjen ku u vranë 3 persona dhe 8 të tjerë u plagosën

Në Shqipëri policia dhe prokuroria po vazhdojnë hetime intensive lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmë në Elbasan ku u vranë 3 vetë dhe 8 të tjerë u plagosën në një lokal, kur mbi ta persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri automatiku

Objektivi i sulmit mendohet të kenë qenë pjestarë të familjes Çapja të cilët prej shumë vitesh janë në hasmëri me një tjetër familje, Mema. Një konflikt i shoqëruar gjatë gjithë kësaj kohe dhe me viktima nga të dyja palët.

Mbrëmë nga familja Çapja, mbeti një i vrarë dhe tre të plagosur. Edhe policia ka folur për motive hakmarrjeje, por ende nuk ka të dhëna nëse atentatorët kanë lidhje me konfliktin mes dy familjeve.

Në vendngjarje u gjetën 65 gëzhoja, 3 armë automatike dhe 3 predha të kalibrit 7,62 milimetra. Policia ka ushtruar kontrolle të shumta në disa qytete ku janë kontrolluar dhe banesa të shumta si dhe ka shoqëruar mbi 40 persona. Sot u vendos dhe një shpërblim prej 3 milion lekësh për këdo që do të japë informacion për autorët e ngjarjes.

XS
SM
MD
LG