Lidhje

NATO, Rusia dhe zgjidhja e krizës në Siri


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg thotë se sulmet ajrore të Rusisë në Siri janë duke minuar përpjekjet për të gjetur një zgjidhje jo-ushtarake të konfliktit. Zoti Stoltenberg i bëri komentet sot pasi arriti në Amsterdam për një takim të ministrave të mbrojtjes të Bashkimit Evropian.

"Ajo që kemi parë është se sulmet ajrore intensive ruse që kryesisht kanë në shënjestër grupet opozitare në Siri janë duke minuar përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike të konfliktit. Për më tepër, rritja e aktivitetit dhe pranisë ajrore ruse në Siri po shkakton tensione dhe shkelje të hapësirës ajrore turke . Kjo krijon rreziqe, rrit tensionet, dhe natyrisht është një sfidë për NATO-n, sepse po shkelet hapësira ajrore e NATO-s", tha Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se rritja e pranisë ushtarake ruse në Siri dhe në Mesdheun lindor gjithashtu është duke zhvendosur balancën strategjike në këtë pjesë të Mesdheut.

Ai bëri thirrje për qetësi, ulje të tensioneve, dhe më shumë përpjekje për të arritur një zgjidhje politike në Siri.

Në një zhvillim tjetër, forcat qeveritare siriane të mbështetura nga aeroplanët rusë rimorën nën kontroll qytetin Deera, që më parë kontrollohej nga rebelët e opozitës, sipas njoftimeve të kanalit televiziv Al Manar të Hezbollahut dhe sipas një grupi sirian monitorimi.

Ky lajm erdhi një ditë pasi në një konferencë donatorësh të udhëhequr nga OKB-ja u premtuan 10 miliardë dollarë ndihma humanitare për Sirinë.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të takohet sot për konsultime me të dërguarin e OKB-së Staffan de Mistura mbi ndërprerjen e negociatave, të cilat janë pezulluar deri më 25 shkurt.

XS
SM
MD
LG