Lidhje

Synimet e Vladimir Putinit dhe politikat ruse


Megjithë problemet e ekonomisë ruse, si rënia e vlerës së rubles, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik dhe ulja e çmimeve të naftës, Presidenti rus Vladimir Putin ka arritur të reflektojë një potencë të habitshme në skenën botërore, thotë Angela Stent, drejtoreshë e Qendrës për Studime Euroaziatike, Ruse dhe Evropiane në Universitetin Georgetown. Ajo foli me korrespondenten Jela de Francesci mbi synimet e zotit Putin në vend dhe jashtë tij:

Pasi tronditi botën me ndërhyrjen në Ukrainë, Presidenti Putin ka filluar një fushatë ajrore në Siri, me synimin për të shtuar ndikimin rus, thotë Angela Stent.

Ajo e sheh këtë lëvizje si përpjekje e Putinit për të zbutur presionin nga ndërhyrja në Ukrainë dhe për të mbajtur në pushtet një klient besnik në Siri. Por mbi të gjitha ai do t’i rikthejë Rusisë rolin si “fuqi e madhe”:

“Pas një vit e gjysmë përpjekjesh nga Perëndimi për ta izoluar Putinin për veprimet ruse në Ukrainë, për qëndrimin në OKB dhe fushatën në Siri, ai është një figurë që të gjithë e kanë në gojë”.

Presidenti Putin, vë në dukje zonja Stent, synon që me veprime si ato në Ukrainë, të mos lejojë që hapësira dikur të ish-Bashkimit Sovjetik, të përqafojnë demokracinë liberale, gjë që do të sfidonte sistemin e patronazhit mbi të cilin mbëshetet regjimi i Putinit.

Ajo shton se Putini ka përçmim për aleancat strategjike.

“Putini e ka thënë disa herë se pak vende në botë janë sovrane, dhe Kina e Rusia janë dy prej tyre. Ai thotë se edhe Shtetet e Bashkuara nuk janë plotësisht sovrane pasi kanë aleatë. Vladimir Putin është më i interesuar në partnerë si Kina dhe Irani me të cilët punon në mënyrë pragmatiste për çështje të ndryshme”.

Sipas analistes, aventura e ardhme e Putinit mund të jetë një fushatë në Afganistan. Me largimin e NATO-s në fund të vitit, Putini shqetësohet se situata në atë vend mund të precipitojë dhe ekstremizmi islamik do të fuqizohet duke ndikuar tek fqinjët e Rusisë dhe tek vetë Rusia.

“Rusia ka kontigjentin e dytë më të madh të rekrutëve në ISIS. Rusia thotë se mbi 2000 rusë po luftojnë për Shtetin Islamik. Ka një numër të madh rekrutësh nga Azia Qendrore, disa prej të cilëve punojnë në Rusi. Pra Rusia përballet me problemin e fondamentalizmit”.

Zonja Stent thotë se me këtë politikë të jashtme Putini po përpiqet të garantojë axhendën e tij në politikën e brendshme:

“Strategjia kryesore e zotit Putin dhe kolegëve të tij është si të fitojnë zgjedhjet e ardhshme presidenciale në 2018. Ata duan të sigurohen se popullariteti i Putinit nuk do të bjerë. Jo vetëm që ai të rizgjidhet, por të mos ketë një opozitë të vërtetë”.

Por Senatori amerikan Bob Corker thotë se një dorë e fortë në politikën e jashtme nuk do ta shpëtojë Putinin nga zemërimi publik lidhur me korrupsionin e madh që senatori thotë se ka zaptuar nivelet e larta të qeverisjes ruse. Zoti Corker, i cili kryeson Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, dha një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, pak ditë pasi Departamenti amerikan i Thesarit e akuzoi Presidentin rus për korrupsion:

“Populli rus ka filluar ta kuptojë se ka një udhëheqës që ka grumbulluar pasuri të jashtëzakonshme personale. Kjo do të krijojë destabilitet të mëtejshëm në Rusi… fakti që një ish-agjent i KGB-së mund të vijë në qeveri dhe të grumbullojë kaq pasuri, të ketë dasëm ekstravagante në sy të të gjithëve. Ka plot rusë që janë në pushtet dhe kanë pasuri personale me vlerë prej miliardash. Kjo nuk arrihet me punë normale në qeveri, arrihet me korrupsion. Mendoj se gradualisht do të destabilizojë regjimin kur gjithnjë e më shumë njerëz të ballafaqohen me këtë fakt”.

Për zonjën Stent, problemi kryesor për Putinin mbetet ekonomia e dobët. Pa përmirësimin e ekonomisë, thotë analistja, një politikë e jashtme agresive nuk do të arrijë t’u mbyllë gojën kritikëve në vend.

XS
SM
MD
LG