Lidhje

Latinët dhe vota republikane


APTOPIX GOP 2016 Trump Border
APTOPIX GOP 2016 Trump Border

Latino-amerikanët në SHBA kanë votuar vazhdimisht në favor të kandidatëve demokratë në zgjedhjet e kaluara presidenciale dhe diferenca e votës së tyre mund të përcaktojë presidentin e 45-të të vendit. Shumë latinë janë distancuar për shkak të pjesës më të madhe të retorikës së fushatës republikane, por ka ndër ta që bien dakort të paktën me një pjesë të mesazhit të partisë republikane.

Herminio Mendoza krijon grafika dhe shenja udhëzuese në magazinën e tij në Nju Xhersi. Ai është pronar i një biznesi të vogël, me origjinë nga Republika Domenikane dhe një republikan i vetëshpallur që do të votojë në zgjedhjet presidenciale për herë të dytë. Ai thotë se ky vit duhet të jetë për krijimin e vendeve të punës dhe se beson që partia republikane i ofron mundësi për të rritur biznesin e tij, ndërsa demokratët ofrojnë shtetin social dhe strehimin publik.

“Japin strehim, por jo punë. Si do paguash qeranë? Mund të kesh 100 shtëpi, por si do i paguash? Nuk funksionon kështu. Të duhet një punë, arsim dhe një profesion.”

Votuesi për herë të parë, 24-vjeçari Christian Martinez, është dakort. Por, në dallim nga zoti Mendoza që mbështet guvernatorin Chris Christie, ai mbështet biznesmenin Donald Trump. Ai pranon që zoti Trump mund të ngjajë anti-latin; ai i ka quajtur emigrantët meksikanë “përdhunues”, dhe sugjeron ndërtimin e një muri përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, si dhe deportimin e 11 milionë emigrantëve pa dokumenta. Por, zoti Martinez vë në dukje se Donald Trump ka mbështetur diversitetin.

“Ka nga të gjitha racat që punojnë për të; nga të gjitha etnitë. Megjithëse ai fiton prej kësaj, ai gjithashtu ofron vende pune për njerëzit.”

Për ironi, zoti Martinez ka vuajtur personalisht prej politikës së emigracionit. Babai i tij pa dokumenta, i ardhur nga El Salvadori, është deportuar. Ai thotë se nuk është dakort me zotin Trump për disa aspekte të emigracionit, por mendon se zoti Trump ka në zemër interesat më të mira të vendit.

“Më ka dëmtuar kjo gjë, por në njëfarë mënyre më ka bërë më të fortë. Ka standarte të dyfishta për çdo gjë dhe mendoj se kush është këtu, duhet të qëndrojë dhe se duhet të kufizohet numri i të ardhurve të rinj, për shkak të terrorizmit.”

Daniel Altschuler bashkëpunon me komunitetet latine dhe të emigrantëve për çështje të ekonomisë dhe drejtësisë racore. Ai thotë se latinët që mbështesin zotin Trump, janë të paktë dhe se retorika e hidhur e republikanëve për emigracionin, në fakt ka mobilizuar më shumë njerëz të regjistrohen për votime në komunitetet latine dhe të emigrantëve.

“Në vitin 2012, retorika për ‘vetëlargim’ nga Mitt Romney ishte dëmtuese për elektoratin latin. Ndërsa retorika e tanishme e kandidatëve republikanë është edhe shumë më e ashpër.”

Megjithëse demokratët vazhdojnë të gëzojnë mbështetje të lartë të elektoratit latin, niveli i pjesëmarrjes në votime vazhdon të mbetet shqetësim. Sipas Qendrës Kërkimore Pew, 48% e votuesve hispanikë votuan në vitin 2012, pra 16% më pak se votuesit e bardhë jo-hispanikë.

XS
SM
MD
LG