Lidhje

Fleckenstein e Kukan për Reformën në Drejtësi


Tiranë, dy eurodeputetët takojnë udhëheqësit kryesorë politik të vendit. Fleckenstein: Komisioni europian të monitorojë zbatimin e reformës. Kukan: Me rëndësi për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së

Në Tiranë dy eurodeputët Knut Fleckenstein, relator i parlamentit europian për Shqipërinë, dhe kolegu i tij Eduard Kukan, zhvilluan sot takime me drejtuesit kryesorë politik në vend, ku në qendër të bisedimeve ishte reforma në Drejtësi.

Në përfundim të takimeve eurodeputeti Knut Fleckenstein duke theksuar rëndësinë e saj, tha se nuk mund të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar pa një reformë të mirë në drejtësi. Edhe zoti Kukan nga ana e tij nënvizoi se ndaj Shqipërisë në Bruksel ka mjaft pritshmëri, por ajo më e rëndësishmja, shtoi ai, është Reforma në Drejtësi, miratimi dhe zbatimi i saj. Ai theksoi se “rekomandimet dhe opinioni i pritshëm i Komisionit të Venecias përbëjnë një bazë të shëndoshë, mbi të cilën nëse punohet me vullnet politik dhe angazhim të të gjitha palëve mund të ecet përpara”.

Të dy eurodeputetët u shprehën se janë të gatshëm të ndihmojnë vendin në këtë fazë. “Ne erdhëm të dëgjojmë udhëheqësit shqiptarë, të shohim cilat janë pozicionet e tyre, që të ndihmojmë për këtë cështje shumë të rëndësishme e të ndjeshme, që duhet zgjidhur në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara në rrugëtimin e saj europian”, deklaroi zoti Kukan.

Zoti Fleckenstein, i cili pritet të paraqesë në javët e ardhshme një raport për Shqipërinë, deklaroi se ai do t’i sugjerojë komisionit europian, që “të bëjë të qartë se pas miratimit të reformës, të ketë një mision monitorues për zbatimin e saj, sepse kështu mendojmë se mund të ndihmojmë”.

Nga ana e tij kryetari i parlamentit shqiptar Ilir Meta e cilësoi reformën në Drejtësi “të domosdoshme për të ngritur në një standart të ri, funksionimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër krimit e korrupsionit”. Ndërsa kryetari i opozitës Lulzim Basha, në deklaratën e tij pas takimit me dy eurodeputetët theksoi se “përsërita vullnetin e opozitës për një bashkëpunim të hapur dhe pa kushte me maxhorancën në frymën e konsensusit politik, për të prodhuar një reformë në drejtësi e cila lufton korrupsionin por pamundëson kapjen politike dhe vendosjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në shërbim të qeverisjes, qeverisë apo kryeministrit aktual apo kushdo qoftë ai. Në këtë kuadër theksova rëndësinë që merr dialogu politik”, u shpreh zoti Basha.

Muajin e kaluar projekti i ndryshimeve kushtetuese, i rishikuar nga ekspertët mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, ju ridërgua për një opinion përfundimtar këtij Komisioni. Bashkë me të, u dërguan edhe dy opinione të vecanta të paraqitura nga opozita dhe Lëvizja socialiste për integrim. Vlerësimi përfundimtar i Komisionit të Venecias pritet që të jepet zyrtarisht në fillim të muajit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG