Lidhje

Reforma në Drejtësi, procesi në udhëkryq


Në Komisionin e posacëm parlamentar opozita ngriti “10 çështje të cilat i kundërshtojmë”, duke kërkuar “zgjidhje politike”. Mbledhja e parë pas Opinionit përfundimtar të Venecias mbyllet pa asnjë vendim

Në Shqipëri mbledhja e Komisionit të posacëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, e para pas opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias, ofroi një panoramë pesimiste mbi të ardhmen e procesit. Ndonëse të gjitha palët ishin shprehur publikisht se Opinioni i Venecias përbën një bazë solide, në takimin e djeshëm dolën në pah ndarje të forta, që rrezikojnë të fusin procesin në një udhë pa krye, apo të kthejnë pas diskutimet mbi reformën. Dallimet mbi palët nuk ishin vetëm për procedurën që duhej ndjekur drejt miratimit të ndryshimeve kushtetuese mbi bazën e rekomandimeve të Venecias, por edhe për cështje të përmbajtjes.

Që në fillim të takimit përfaqësuesi demokrat Eduard Halimi tha se opozita kundërshton të paktën 10-11 cështje që sipas tij janë të karakterit politik dhe duhet të marrin fillimisht një zgjidhje politike. Cështjet e renditura nga opozita përfshinin mosdakortësinë e saj, me ekzistencën e disa institucioneve të cilat parashikohet të krijohen rishtaz, si Këshilli i Emërimeve, ashtu dhe me organizimin e disa të tjerave, apo përbërjen dhe funksionet e tyre, apo dhe mënyrën e emërimit të anëtarëve në disa të tjera, si dhe më ndërprerjen e mandatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Deputeti tjetër demokrat Oerd Bylykbashi, shkoi dhe më tej. Ai u shfaq tejet kritik ndaj strukturës institucionale të propozuar në projekt ndryshimet kushtetuese. “Sistemi dhe arkitektura që ju keni propozuar është shumë problematike. Është shumë problematike edhe sikur ne të marrim mirëqëne se e gjithë kjo qenka për të luftuar korrupsionin. Nëse supozojmë se sot nisëm këtë luftë, ajo që do i mbetet kushtetutës është një ngrehinë e tmerrshme institucionesh që nuk bëjnë gjë tjetër vecse përplasen me njëra tjetrën brenda sistemit të drejtësisë. Nëse nuk e thjeshtojmë e nuk e bëjmë sic duhet do ti lemë shqiptarëve një dramë”.

Në Opinionit e tij përfundimtar Komisioni i Venecias pranon se sistemi i ofruar në variantin e parë ishte i komplikuar dhe se “ai është thjeshtuar disi më rishikimin e ndryshimeve kushtetuese”, por “Komisioni e vlerëson të pranueshëm strukturën institucionale të propozuar”, shkruhet në Opinion, ku theksohet se “një sistem me një korrupsion të përhapur, ka nevojë për më shumë mekanizma të jashtëm kontrolli se sa një sistem i shëndetshëm”. Por sipas zotit Bylykbashi, arkitektura e propozuar “ka marrë notën 5 nga Komisioni i Venecias. Komisioni ka thënë “Kështu sic është edhe e pranojmë, por zgjidheni ju më mire, si duhet sistemin e balancave”. Edhe këtu ka hapur shtegun të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje. Ka institucione që janë shumë të mira, e të tjera që nuk duhet të ekzistojnë”, u shpreh zoti Bylykbashi.

Cilat është rruga që opozita propozon se duhet ndjekur? “Ne të vazhdojmë diskutimin e këtyre 10 cështjeve, të biem dakort. Mund të biem dakort për 4-5, të vazhdojmë dialogun për të tjerat. Të gjitha cështjet janë parimore. Të mbyllim diskutimin politik që kemi për këto cështje, dhe pasi ta mbyllim ja kalojmë ekspertëve, të cilët marrin cështjet e debatit politik, marrin cështjet të cilat kanë gjetur mbështetje në komisionin e Venecias dhe ndërtojmë një draft amendamendesh konsensuale dhe të mos vijmë vërdallë me historinë e ekspertëve. Të diskutojmë për çështjet politike”, u shpreh zoti Halimi. Ndërsa deputeti Bylykbashi theksoi se “të gjithë këto janë çështje principiale pa të cilat kjo reformë nuk mund të vijojë më tej”, deklaroi ai duke qenë kritik me mënyrën se si procesi ka ecur deri më tani, ndonëse ambasada amerikane ka marrë “bashkëpronësinë”, siç ka nënvizuar ambasadori Donald Lu, gjë e cila u mbështet dhe nga Sekretari i Shtetit John Kerry i cili në Tiranë u shpreh “shumë i inkurajuar nga paketa e reformës në drejtësi” . “Të fillojë dhe të diskutohet në një hulli krejt tjetër- tha zoti Bylykbashi - Cdo lloj ngulmimi në rrugën e deritanishme do ta zgjasë me muaj e muaj të tjerë. Duhet që juve të tërhiqeni nga ky pozicion i paarsyeshëm, të gjejmë kompromis principial politik dhe teknik. Nëse refuzohet një ofertë e tillë do të thotë që nuk e duam këtë ofertë”, nënvizoi deputeti demokrat.

Për deputetin socialist Pandeli Majko çështjet e ngritura nga opozita “nuk janë politike, por thjesht teknike. Politike është ajo që në mënyrë publike zyrtare i dolët ndesh të gjithë asaj që e konsiderojmë strukturë të reformës së Drejtësisë, në bashkëpronësi me ekspertizën e BE dhe SHBA. Këto 10 kundërshti, krijojnë një problem shumë të madh. Kujt t’i besojmë, kryetarit të PD që del e thotë se dokumenti i Venecias është udhërrëfyesi, apo sot që na sillni një dokument tjetër me “10 NUK”, që rrëzoni të gjithë strukturën e reformës. Me këtë problem politik që ju keni ardhur sot do të thotë se reformë Drejtësie nuk ka. Këto propozime që keni sjellë thonë qartazi se reformë drejtësie nuk ka”.

Por kundërshtitë nuk ishin vetëm nga opozita. Ndonëse i mëshoi së tepërmi nevojës së dialogut dhe mundësisë së gjetjes së zgjidhjeve për çështjet e ngritura nga demokratët, edhe përfaqësuesi i LSI-së Spartak Braho, ngriti po ashtu disa problem që duket se nuk janë në linjë me ndryshimet kushtetuese që i shkuan Komisionit të Venecias, duke nisur nga kundërshtimi për një Gjykatë të Lartë administrative, te mënyra se si është konceptuar organizimi i Prokurorisë, apo dhe nevoja për të “ridizenjuar parimin e ballancës së pushteteve”.

Kryetari i Komisionit ad Hoc Fatmir Xhafaj këmbënguli se diskutimet duhet të përqëndrohen mbi nenet dhe Opinionin e Komisionit të Venecias. Sipas tij “ekspertët e partive politike duhet të mblidhen së bashku me një grup të ekspertëve të Nivelit të Lartë që kanë punuar me këto çështje si dhe me praninë e përfaqësuesve të Opdat-it dhe Euralius-it. Cështjet që ata i konsiderojnë si politike, zgjidhen politikisht dhe i diskutojmë në këtë sallë”. Megjithatë ai la të hapur çdo diskutim, dhe e mbylli mbledhjen pa ndonjë vendim.

Rrjedha e zhvillimeve nuk duket premtuese. Ndonëse Komisioni i Venecias në vlerësimin e tij kishte theksuar se “propozimet e tanishme janë përgjithësisht të arsyeshme” dhe se “mbeten megjithatë disa probleme teknike që nuk duken të pazgjidhshme”, opozita këmbëngul në çështje që sipas saj janë “parimore” dhe “politike”. Ndërsa ambasada amerikane në Tiranë, në një koment të sajin dhënë pak ditë më parë televizionit Top Channel, për Opinionin e Venecias, theksonte se “raporti përfundimtar ka ofruar udhëzime të qarta dhe ka lënë vetëm një çështje qartësisht politike, atë të shumicës së cilësuar, në duart e udhëheqësve politikë të Shqipërisë”.

XS
SM
MD
LG