Lidhje

Dhuna seksuale gjatë konflikteve


Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, gjatë luftrave në Ballkan në vitet 1990, u përdhunuan dhjetra mijëra gra. Ky fenomen kaq i përhapur tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare dhe përdhunimi gjatë periudhës së luftës u shpall si krim kundër njrëzimit në gjykatat ndërkombëtare. Instituti “Harriman” i Universitetit “Kolumbia” në Nju Jork, organizoi këto ditë një konferencë për të hedhur dritë tek çështja e dhunës seksuale gjatë konflikteve.

Në konferencën “Dhuna seksuale globale në konflikte: nga Ballkani, në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme”, diskutantët fillimisht u përqëndruan tek luftrat ballkanine, ku gratë u bënë objekt i dhunës dhe përdhunimi u bë një mjet terrori në fushatat e spastrimit etnik.

Pas luftës, gratë e patën të vështirë t’i tregonin personat që i sulmuan. Shoqëria shprehu një lloj mosmiratimi për mbijetuarat e dhunës dhe për këtë arsye, mbretëroi një kulturë mosndëshkueshmërie. Por disa gra patën kurajon të flasin për eksperiencat e tyre.

Studjuesja dhe gazetarja Anna Di Lellio foli në konferencë për rolin e artit dhe të grave aktiviste në ndryshimin e kulturës së izolimit dhe turpit që rrethon dhunën seksuale në luftë. Ajo shfaqi dokumentarin “Thinking of You”, ku tregohet historia e një projekti nga artistja Alketa Xhafa-Mripa.

Vepra e saj paraqet 5 mijë fustane të varura në tela në një stadium të Prishtinës. Disa prej rrobave, të dhuruara prej grave nga e gjithë bota, tregojnë histori prekëse.

Projekti synon të kujtojë dhe nderojë të mbijetuarat nga përdhunimet gjatë luftës. Gjatë luftës në Kosovë u përdhunuan rreth 20 mijë gra.

“Dhuna ndaj këtyre grave u përshkrua si një dëm ndaj burrave që i zotëronin këto gra. Por gratë aktiviste thanë: “Jo ne duhet ta tregojmë historinë ashtu siç është”. Në vitin 1992, gratë boshnjake shkuan në Kroaci, ato ishin gra aktiviste që nxorën në dritë krimet dhe ishin të përkushtuara ndaj Bosnjes.”

Edita Miftari, studente me bursë Fulbright, e cila studjon në Universitetin Clark, i përket brezit të ri të grave boshnjake. Ajo është aktiviste e lëvizjes feministe.

“Duke qenë fëmija i vetëm i nënës sime që e humbi bashkëshortin, dhe unë babain në fillim të luftës në Bosnje, unë pata si shembull një figurë feministe të natyrshme, nënën time, e cila u kujdes për mua në vitet e vështira të fëmijërisë sime. Pra, unë u rrita vetëm me një prind, që cila më mësoi rëndësinë e drejtësisë, të së vërtetës dhe paqes në përgjithësi.”

Kanë kaluar më tepër se 15 vjet që nga përfundimi i luftës në Ballkan, por pagët shërohen shumë ngadalë. Sipas profesores në Universitetin “Columbia” Tanya Domi, duhet bërë më tepër për t’i dhënë fund krimeve të tilla.

“Ajo që po shohim sot në Siri dhe me epërsinë e re të ISIS-it dhe të Boko Haramit në Nigeri, tregojnë se kemi të bëjmë me një nënshtrim në masë dhe dhunë seksuale ndaj grave. Pra, ky subjekt është real dhe pikërisht në këto momente, ndoshta dikush është duke u përdhunuar në ndonjë luftë që zhvillohet në botë. Mendoj se trajtimi i kësaj çështjeje është një obligim moral.”

Diskutime kaq të hapura dhe të drejtpërdrejta krijojn sistemin për parandalimin e mizorive të ngjashme në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG