Lidhje

Gjenomi i këpushës dhe lufta kundër sëmundjeve infektive


Këpusha është një insekt që njihet për transmetimin e një shumëllojshmërie më të madhe patogjenësh dhe parazitësh, se sa çdo vektor artopod tjetër, duke shkaktuar mijëra vdekje në vit tek njerëzit dhe kafshët. Tani studiuesit në Universitetin Purdue kanë përcaktuar gjenomin e parë të këpushës, me shpresën për t'i dhënë fund infeksioneve vdekjeprurëse të shkaktuar prej pickimit të këtij insekti.

Në mbarë botën ka më tepër se 900 specie këpushash, shumë prej të cilave shkaktojnë sëmundje serioze. Por, askush nuk kishte menduar t'i studjonte ato, deri 10 vjet më parë. Pikërisht atëhere, endomologia me origjinë australiane Catherine Hill, që tani punon në Universitetin Purdue, propozoi idenë e krijimit të një harte të gjenomit të këpushës së drerëve, të njohur si "Ixodes scapulari", bartëse e patogjenit që shkakton sëmundjen e Lymës.

"Një mënyrë e mirë për përcaktimin e një harte të gjenomit është duke e krahasuar atë me një lojë për bashkimin e pjesëve. Pasi i ndan në pjesëza, më pas i bashkon të gjitha copëzat e vogla tëADN-së."

Me ndihmën e Institutit Kombëtar të Shëndetit, shkencëtarja krijoi një grup studimor prej 93 studiuesish nga 46 institucione kërkimore nga e gjithë bota.

Mes të tjerash, ata identifikuan një listë të gjatë gjenesh që kontrollojnë receptorët e aromave dhetë shijes; kjo mund t'i ndihmojë shkencëtarët të krijojnë spërkatës dhe ilaçe kundër insekteve, për të mos i lejuar këpushat të gjejnë bartës dhe as për t'u bashkuar e shumuar.

Studjuesit po ashtu përcaktuan se rreth 20 për qind e gjeneve të këpushës janë unike për to, gjë që mund të çojë në përftimin e pesticideve shumë të përqëndruara.

"Përmes tyre ne mund të kontrollojmë vetëm këpushat dhe nuk do të ndikonim tek organizmat e tjera në mjedis. Pra, ne synojmë të krijojmë produkte më të pranueshme për mjedisin, për të kontrolluar këpushat."

Kolegu i zonjës Hill, virologu Richard Kuhn, e sheh hartën e gjenomit të këpushës si një shteg drejt zhvillimit të ilaçeve të reja. Ai thekson se megjithëse këpushat dhe njerëzit paraqesin të njëjtën sjellje biologjike në qëndresën e tyre me antikorpe ndaj viruseve, këpushat kanë zhvilluar imunitet ndaj shumë patogjenëve që ato mbartin. Zoti Kuhn sugjeron që shkencëtarët mund të zbatojnë të njëjtat parime tek mjekësia për njerëzit.

Njohuritë për gjenomin e këpushës, jo vetëm që do t'i ndihmojnë shkencëtarët që të zhvillojnë vaksina për Sëmundjen e Limës, anaplazmozën dhe një formë të encefalitit, por ato po ashtu mund të parandalojnë epidemi të lidhura me këpushat në të ardhmen.

"Këpushat kanë për t'u shtuar në të ardhmen. Është më mirë që të jemi të përgatitur për të kuptuar se si të bëhemi të aftë për t'i kontrolluar ato tani, se sa të kemi shpërthimin e një sëmundjeje të re."

Duke reflektuar për kërkimet e 10 viteve të fundit, studiuesja Hill thotë se megjithëse ekipi i saj e ka përfunduar hartën e gjenomit, shkencëtarët janë vetëm në fillimet e punës së tyre për të kuptuar biologjinë e këpushave.

XS
SM
MD
LG