Lidhje

Filmi “Eye in the Sky” dhe dronët


EYE IN THE SKY
EYE IN THE SKY

Filmi "Eye in the Sky" i regjisorit Gavin Hood, trajton një operacion të përbashkët ushtarak amerikano-britanik me avionë pa pilot që ka në shënjestër një grup terrorist në Nairobi të Kenias. Dramatizimi i ngjarjes nënvizon pasojat strategjike dhe morale të zbatimit të operacionit me dron ndërkohë që një fëmijë i pafajshëm hyn në parametrat e objektivit të goditjes me raketë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Penelope Poulou sjell hollësitë.

Kur zyrtarët ushtarakë e kuptojnë se një grup terrorist, drejtuar nga britanikja Susan Helen Danford po përgatitej për një sulm vetëvrasës në Nairobi, ata ndryshojnë misionit nga kapja e zonjës Danford në vrasjen e saj me dron. Por ajo që e irriton drejtuesen e misionit, kolonelen Catherine Powell, luajtur nga aktorja Helen Mirren, është se hierarkia ushtarake dhe politike fillon shqyrtimin e kostos strategjike, politike dhe personale të një vendimi të tillë.

Ndërkohë, koha për ekzekutimin e misionit po mbaron. Marrja e vendimit vështirësohet edhe më tej kur në zonën e sulmit hyn një fëmijë.

Regjisori Gavin Hood thotë se filmi “Eye in the Sky” tregon se nuk ka përgjigje të lehta.

"A do të sakrifikosh jetën e një personi të pafajshëm për të parandaluar ndoshta humbjen e 80 njerëzve të tjerë? Ky skenar mund të ndryshojë shumë shpejt. Po sikur në zonën e sulmit të ndodhen pesë persona të pafajshëm? Po nëse numri i viktima të jetë vetëm 20 vetë, po sikur të ketë 2000? "

Vendim-marrësit në operacionin e dramatizuar ndodhen në vende të ndryshme. Ndërsa kolonelja Powell ndodhet në një bunker në Northud të Londrës, gjeneral lejtënanti Frank Benson, i luajtur nga Alan Rickman, i cili u nda nga jeta kohët e fundit, shikon objektivin nga një ndërtesë tjetër në Londër, ndërsa pilotët e dronëve që do të ekzekutojnë goditjen ndodhen brenda një objekti në Nevada, mijëra kilometra larg.

"Ata nuk janë fizikish pranë njëri-tjetrit. Komunikojnë përmes ekraneve të kompjuterave. Ky fakt ngre pyetjen nëse është më e lehtë të hapësh zjarr nëse nuk je përballë armikut”.

Gavin Hood thotë se dilemat në filmin e tij janë të bazuara në skenarë realë të luftës me dronë.

"Ka njerëz në ushtri, të cilët kanë ngritur pyetje serioze mbi përdorimin e dronëve dhe ka të tjerë që mendojnë se kjo është gjëja më e mirë që mund t’i ketë ndodhur ushtrisë".

Ai shpreson se filmi i tij do të nxisë diskutime mes shikuesve mbi koston njerëzore, politike dhe strategjike të përdorimit të dronëve në luftë.

XS
SM
MD
LG