Lidhje

Stoltenberg: NATO-ja nuk do konfrontim me Rusinë


NATO-ja përgatitet të shtojë kundërpërgjigjen ndaj Shtetit Islamik si dhe ndaj Rusisë, përgjegjëse për veprime agresive në Ukrainë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg foli këtë javë në Uashington me shërbimin serb të Zërit të Amerikës lidhur me të ardhmen e aleancës.

NATO-ja nuk kërkon konfrontim me Rusinë, as një luftë të ftohtë, tha zoti Stoltenberg; ajo kërkon më tepër një dialog për të shmangur incidente si rrëzimin e avionit rus mbi Turqi. Ai shtoi se në rast se ndodh diçka si kjo, NATO-ja mund të ndihmojë për ta mbajtur gjendjen nën kontroll.

Zoti Stoltenberg tha se NATO-ja po zbaton një program për forcimin e mbrojtjes së saj kolektive, më i madhi që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë, në përgjigje të mjedisit të ri të sigurisë në lindje të Evropës si dhe në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Ai theksoi rëndësinë e llojeve të ndryshme të mekanizmave për transparencën dhe uljen e rreziqeve, për të shmangur që situatat e vështira të bëhen edhe më të vështira

Stoltenberg po konsultohet me udhëheqësit amerikanë në prag të samitit të NATO-s në Varshavë në muajin korrik, ku kriza e refugjatëve në Lindjen e Mesme dhe Evropë pritet të jetë ndër temat kryesore.

Shefi i NATO-s tha se aleanca ka dislokuar anije në Detin Egje për të ndihmuar me krizën. Ai tha se anijet nuk ndodhen atje për të kthyer mbrapsht anijet me emigrantë dhe refugjatë, por për vëzhgim, zbulim dhe monitorim.

XS
SM
MD
LG