Lidhje

Cruz, Trump në garë për delegatët


Amerikanët po përqendrohen gjithnjë e më shumë në procesin e emërimit të kandidatëve presidencialë, ndërkohë që republikanët përballen me mundësinë që asnjëri kandidat të mos fitojë shumicën absolute të delegatëve në prag të konventës kombëtare të partisë që do të mbahet në korrik. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman, ndërsa pretedentët e partisë demokrate dhe asaj republikane synojnë të fitojnë votën popullore në çdo shtet, ata po përpiqen gjithashtu të marrin mbështetjen e delegatëve, të cilët në fund zgjedhin kandidatin e secilës parti.

Favoriti republikan Donald Trump pritet të fitojë zgjedhjet parparake të së martës në shtetin e tij të Nju Jorkut.

"Do të rikthejmë vendet e punës në shtetin e Nju Jork".

Fitorja në Nju Jork do t’i jepte atij një avantazh më të madh në numrin e delegatëve. Por rivali i tij Ted Cruz po shton përpjekjet për të fituar delegatë dhe për të larguar sa më shumë prej tyre nga zoti Trump.

"Ne kemi marrë premtimin e një numri të madh delegatësh që do të na mbështesin në Klivlend. Nëse nuk dëshironi t’i jepni Hillary Clinton-it fitoren në zgjedhjet e përgjithshme, që do ta bënte emërimi i zotit Trumpit, atëherë unë kërkoj nga ju të mbështesni burrat dhe gratë e këtij grupi".

Zoti Trump e ka kritikuar këtë strategji.

"Sistemi është i manipuluar. Është një sistem i keq dhe i padrejt. Shefat e partisë po zgjedhin delegatët, dhe kjo është një gjë shumë e keqe".

Zoti Trump ka punësuar aktivistë me përvojë për ta ndihmuar në betejën e delegatëve. Por, zyrtarët e partisë i kundërshtojnë ankesat e zotit Trump në lidhje me sistemin e delegatëve.

Reince Priebus është kryetar i komitetit kombëtar të Partisë Repuiblikane.

"Sistemi ka ekzistuar për një kohë të gjatë dhe ishte i mirë për Abraham Lincoln-in. Unë mendoj se do të jetë mjaft i mirë për cilindo kandidat që do të fitojë".

Për delegatë po konkurrojnë edhe demokratët Hillary Clinton dhe Bernie Sanders. Zonja Clinton është favorite për të marrë shumicën e delegatëve para Konventës Kombëtare që do t’i siguronte asaj emërimin e partisë. Por, kjo mund të ndryshojë nëse Sanders fiton pothuaj të gjitha shtetet e mbetura.

"Unë vlerësoj çdo votues. Unë nuk heq dorë nga asnjë individ, shtet apo rajon i vendit".

Në anën republikane, nëse Trump nuk fiton shumicën absolute, votat e më shumë se 100 delegatëve të pavendosur do të jenë të rëndësishme. E rëndësishme do të jetë edhe besnikëria e delegatëve të tjerë, shumë prej të cilëve mund të votojnë ashtu siç e gjykojnë të arsyeshme, nëse asnjë kandidat nuk merr emërimin në raundin e parë të votimit në Konventën e partisë.

XS
SM
MD
LG