Lidhje

30 vjet pas Çernobilit


A new sarcophagus (show under construction in 2014), the world's largest movable object, is to be placed over the Chernobyl plant in 2017, March 20, 2014. (S. Herman/VOA)
A new sarcophagus (show under construction in 2014), the world's largest movable object, is to be placed over the Chernobyl plant in 2017, March 20, 2014. (S. Herman/VOA)

Kanë kaluar 30 vjet nga katastrofa më e madhe bërthamore në botë dhe uzina e Çernobilit është ende aty si shenjë e së kaluarës. Qyteti Pripyat, i themeluar në vitin 1970, i cili u ndërtua për punëtorët e uzinës bërthamore aty pranë ishte dikur model i idealit sovjetik, ndërsa tani është një qytet fantazmë.

Të 50 mijë njerëzit që jetonin dikur në Pripyat u evakuuan me shpejtësi pas shpërthimit në uzinën bërthamore të Çernobilit 4 kilometra më larg. Në orët e para të 26 prillit 1986, shpërtheu reaktori numër 4 i centralit bërthamor.

"Kur shpërtheu centrali bërthamor, kudo në fusha shihje ambulanca. Ne duhej të punonim në arë dhe, megjithëse na thanë të mos punonim, ne vazhduam. Unë isha brigadiere dhe ne shkuam në çdo fushë për të matur rrezatimin. Por ishte e kotë, sepse ne nuk dinim si të mbroheshim dhe ç’të bënim.”

Pas shpërthimit të reaktorit 4, reaktorët e tjerë u mbyllën njëri pas tjetrit dhe që nga viti 2000, ky kompleks nuk ka prodhuar më asnjë vat energji.

Sot, pas 30 vjetësh, të vetmit njerëz këtu janë grupet turistike që vijnë për të parë shkatërrimin.

Pas fatkeqësisë, autoritetet përcaktuan një zonë prej 2 mijë e 600 kilometrash katrore rreth uzinës, ku nuk mund të banonte njeri.

Por disa qindra njerëz që ishin evakuuar, tani janë kthyer. Ata ndjejnë lidhje shpirtërore me shtëpitë dhe nuk shqetësohen shumë për pasojat e rrezatimit.

Nadezhda Ivanchenko, e cila banon në fshatin Starovichi, ka humbur njërin prej djemve nga kanceri i stomakut në moshën 29 vjeçare. Nipi i saj Rostyslav Kiriyak, vuan nga aritmia. 68-vjeçarja Ivanchenko e kujton kështu shpërthimin:

"Kur doli dielli, na u duk sikur dikush kishte shpërndarë si me fshesë një pluhur të bardhë në ajër. Pastaj pamë shumë makina të kalonin këtu. Ne nuk ndienim asgjë sepse nuk kishim parë asgjë. Fëmijët e mi ishin të vegjël në atë kohë. Por kjo është arsyeja që sot ka fëmijë të sëmurë.”

Pas shpërthimit të reaktorit 4, rreth 600 mijë njerëz u thirrën për të bërë likuidimin e pasojave. Tani, pas 30 vjetësh, pjesa tyre që kanë mbetur gjallë vuajnë nga probleme të shumta shëndetësore dhe vetëm 5 përqind e tyre mund të quhen të shëndetshëm, sipas ministrisë ukrainase të Shëndetësisë.

Megjithatë, përmasat e asaj që ndodhi në vitin 1986 në Çernobil, ende nuk dihen plotësisht. Në vitin 2005, nga një raport i përgatitur nën kujdesin e Agjencisë Bërthamore Ndërkombëtare, del se nga këta 600 mijë njerëz që u angazhuan në atë kohë për likuidimin e pasojave, mendohet se kanë vdekur rreth 4 mijë nga probleme që lidhen me rrezatimin.

Vetëm disa qindra metra larg uzinës, dhjetëra punëtorë po ndërtojnë një objekt të madh për depozitimin e mbetjeve bërthamore përreth reaktorit të shkatërruar.

Ky projekt me vlerë prej 2 miliard euro është financuar nga donatorë ndërkombëtarë dhe nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

"Kjo strukturë do të shërbejë si një mbulesë izoluese e reaktorit 4 dhe është planifikuar të rezistojë 100 vjet, ndoshta disa qindra vjet. Ajo i jep një rast Ukrainës ta çmontojë plotësisht reaktorin 4."

Kur ky objekt i ri të ketë përfunduar, ai do të sillet me shina për t’u vendosur mbi mbulesën e tanishme, e cila ka shfaqur shenja degradimi.

Procesi pritet të përfundojë në vitin 2017.

XS
SM
MD
LG