Lidhje

Pres. Obama mbi rëndësinë e marrëveshjes SHBA-BE


Presidenti Barak Obama tha sot se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet miratojnë marrëveshjen për tregti të lirë, megjithë kundërshtimet e shumta ndaj këtij akordi.

“Nuk diskutohet se Shtetet e Bashkuara kanë përfituar nga tregtia e lirë, ashtu siç kanë përfituar vende të tjera që janë angazhuar në tregti të lirë”, tha presidenti Obama në një konferencë për shtyp me Kancelaren gjermane Angela Merkel në Hanover të Gjermanisë.

Zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë ndër partnerët kryesorë tregtarë për njëri-tjetrin.

Dy vendet shpresojnë të sigurojnë mbështetje për Partneritetin Transatlantik për Tregti dhe Investime, një marrëveshje për tregti të lirë mes SHBA dhe BE.

Kritikët kanë shprehur rezerva duke thënë se marrëveshja është jotransparente dhe se kompanitë e mëdha mund të konsolidojnë shumë kontroll në duart e tyre, në kurriz të konsumatorëve dhe punonjësve.

Zoti Obama dhe zonja Merkel u takuan në qytetin gjerman të Hanoverit për bisedime mbi një numër temash që nga ekonomia, terrorizmi dhe siguria transatlantike.

Zonja Merkel e priti udhëheqësin amerikan me një ceremoni zyrtare në një kompleks që dikur përdorej si residencë pushimi për familjen mbretërore. Më pas presidenti dhe kancelarja Merkel hapën zyrtarisht panairin tregtar, Hanover Messe, që konsiderohet si aktiviteti më i rëndësishëm botëror për prezantimin e arritjeve të teknologjisë industriale.

XS
SM
MD
LG