Lidhje

Kinezët marrin Aeroportin “Nënë Tereza”


Konsorciumi “Keen Dynamics Limited”, njoftoi sot se ka mbyllur marrëveshjen për blerjen e të drejtave të Tirana International Airport, grupi që drejton prej 2005 të vetmin aeroport ndërkombëtar shqiptar

Drejtimi i aeroportit të vetëm ndërkombëtar në Shqipëri pritet të kalojë në duart e një konsorciumi kinez, “Keen Dynamics Limited”, një bashkim i kompanive “China Everbright Limited dhe “Friedmann Pacific Asset Management Limited” (Friedmann Pacific). Sipas një komunikate të publikuar në faqet zyrtare të internetit të të dy kompanive, njoftohet se është arritur marrëveshja për blerjen e të drejtës së koncesionit nga "Tirana International Airport", TIA, konsorciumi i cili drejton aeroportin "Nënë Tereza" që prej vitit 2005. TIA përbëhet nga shoqëria gjermane AviAlliance GmbH, investitori kryesor me 47 përqind të aksioneve, nga komoania tjetër po gjermane DEG Deutsche Investitions- und Entëicklungsgesellschaft mbH, me 31,7 përqind, dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve që mban pjesën tjetër prej 21,7 përqind. E pyetur nga Zëri i Amerikës drejtoresha e Komunkimit e TIA-s, tha se “në këtë moment që flasim nuk ka një njoftim zyrtar nga aksionerët e TIA-s”.

Konsorciumi kinez, në njoftimin e tij nuk përmend vlerën e transaksionit, i cili sipas publikimeve të mëparshme të mediave shqiptare mendohet të jetë afër 90 milion dollarë. Që prej 2005 kur nisi aktivtetin, TIA ka rritur me afër 1,4 milion numrin e pasagjerëve, i cili në fund të 2015 llogaritej të ishte afër 1,9 milion. Kontrata e TIA-s me autoritetet shqiptare shtrihet deri në vitin 2025. Por një marrëveshja e arritur pak javë më parë pritet ta zgjasë atë dhe dy vjet. Sipas marrëveshjes TIA hoqi dorë nga eksluziviteti mbi fluturimet ndërkombëtare, duke bërë kështu që autoritetet e vendit të kenë mundësi të shfrytëzojnë dhe aeroporte të tjerë. I pari që pritet te vihet ne punë është ai i Kukësit. Në këmbim kontrata me TIA-n do të shtyhet edhe dy vjet të tjera.

“Blerja e Aeroportit “Nënë Tereza” është hapi i parë i strategjisë tonë për t’u shtrirë në infrastrukturën globale”, ka deklaruar drejtori i Përgjithshëm i “China Everbright Limited”, Chen Shuang. “China Everbright Limited” është një shoqëri shërbimesh financiare dhe investimesh që vepron në Kinë dhe Hong Kong ku ka dhe selinë e saj. Shoqëria mëmë është “China Everbright Group”, me kapital tërësisht shtetëror. Ndërsa “Friedman Pacific”, e themeluar në vitin 2000, është një shoqëri e specializuar në sektorin e aviacionit dhe projekteve të aeroporteve. Në 2015, së bashku me “Shandong High-Speed Group Co., Ltd.”, ajo rezulton të ketë blerë 49 përqind të “Toulouse-Blagnac Airport”, ATB, aeroporti më i madh në jugperëndim të Francës. “China Everbright Limited” dhe “Friedman Pacific”, kanë bashkëpunuar dhe më parë kur u bashkuan në investimin pranë “China Aircraft Leasing Group Holdings Limited”, e themeluar fillimisht nga “Friedman Pacific”.

XS
SM
MD
LG