Lidhje

Arrestohet për rryshfet gjyqtari


Gjykatësi Gjykatës së Tiranës Ibrahim Hoxha u arrestua së bashku me të birin. Morën 6 milion lekë për një vendim. Në pranga dhe një biznesmen dhe një ish punonjës policie

Në Shqipëri, një gjyqtar i gjykatës së Tiranës, Ibrahim Hoxha, u arrestua nën akuzën për korrupsion, pasi djali i tij u kap në flagrancë ndërsa po merrte një shumë parashë nga një palë e cila ishte në një proces gjyqësor të drejtuar nga i ati. Në pranga kanë përfunduar edhe dy persona të tjerë, Dritan Jazenxhiu, biznesmen, i cili ishte palë në procesin gyqësor për një cështje pronash, si dhe Novruz Gajdja, ish punonjës policie, në rolin e ndërmjetësit.

Gjyqtari Ibrahim Hoxha përfundoi rastësisht nën hetime, kur emri i tij u shfaq gjatë përgjimeve të një tjetër cështjeje që prokurorët e Krimeve të rënda ishin duke ndjekur, e ku dyshohet se ishte i përfshirë dhe biznesmeni Dritan Jazenxhiu, i cili në shtator të 2014 kishte qenë pjesë e një konflikt dhe me armë për cështje pronash ku dhe kishte mbetur i plagosur. Nga përgjimet është zbuluar fakti se Jazexhiu, përmes ish punonjësit të policisë Gajdja kishte rënë në kontakt me gjykatësin, në mënyrë që vendimi që ai do të jepte në procesin për pronat, të ishte në favor të tij. Ka qenë djali i gjykatësit, Ledion Hoxha ai cili ka marrë 6 milion lekë nga Gajdja, pasi më parë ky i fundit duket se kishte rënë dakort me gjyqtarin gjatë paradites së djeshme për shumën . Gajdja dhe i biri i gjykatësit janë arrestuar pas shkëmbimit të parave, për vendimin që Hoxha pritej të jepte gjatë paradites së sotme.

Gjyqtari Ibrahim Hoxha, rezulton të jetë denoncuar edhe më parë për vendimet e tij të dyshimta. Deputeti demokrat Genc Pollo, ka rikujtuar sot një denoncim publik që ai ka bërë në vitin 2010 kur ishte Kryetar i Komisionit qeveritar për Tokat, organi i cili mbikqyrte titujt e pronësisë në tokën bujqësore. Sipas zotit Pollo, gjyqtari Hoxha në atë kohë kishte dhënë dy vendime të ndryshme për dy raste identike të një konflikti pronësie. Zoti Pollo tregon se në atë kohë i ishte drejtuar presidentit Bamir Topi në mënyrë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të hetonte ndaj gjyqtarit Hoxha. Porse sipas tij kjo gjë nuk kishte ndodhur. Për këtë rast, ai tregon se kishte vënë në dijeni dhe ministrin e atëhershëm të Drejtësisë, Bujar Nishani, i cili sipas zotit Pollo i kishte lënë të kuptohej se Presidenti Topi, përkundrazi e kishte promovuar.

Gjyqtari Hoxha do të përfundonte në Këshillin e Lartë të Drejtësisë 3 vjet më vonë, kur ky institucion drejtohej nga presidenti aktual Nishani. Në dhjetor të vitit 2013, ministri i Drejtësisë Nasip Naco, kërkoi shkarkimin nga detyra të Hoxhës, pasi ky i fundit, përmes një vendimi, kishte refuzuar urdhërin e ekstradimit të Paro Lacit, në atë kohë president i klubit Partizani, i kërkuar nga Drejtësia italiane. Me vendimin e Hoxhës, Laçit ju hoq dhe masa e arrestit, gjë që mundësoi largimin e tij nga vendi, përpara se gjykata e Apelit të vendoset sërish në favor të kërkesës së ekstradimit duke urdhëruar arrestin me burg. Kërkesa e ministrit Naco u rrëzua në atë kohë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Në mbrëmje KLD-ja, i thirrur në një mbledhje të jashtëzakonshme, “vendosi të miratojë kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për dhënie autorizimi për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj gjyqtarit Ibrahim Hoxha, si dhe pezullimin nga detyra, derisa çështja penale ndaj tij të përfundojë me vendim gjyqësor i formës së prerë”, njoftoi Këshilli.

XS
SM
MD
LG