Lidhje

Assange flet pas vendimit të OKB-së


Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange tha se përfundimi i komisionit të OKB-së se ai po mbahet i ndaluar në mënyrë arbitrare, provon se ai kishte të drejtë. Zoti Assange foli nga ambasada e Ekuadorit në Londër, ku ai është strehohuar që të shmangë ekstradimin.

Duke folur përmes videos, nga brenda ambasadës, Assange tha se tani ligji ka vendosur që ai ishte ndaluar pa të drejtë.

Komisioni i OKB-së arriti në përfundimin se Assange po mbahej i ndaluar në mënyrë arbitrare që nga viti 2012.

Assange do që të largohet nga ambasada e Ekuadorit në Londër, ku ai ka kërkuar strehim për gati katër vjet, por policia britanike thotë se mbeten të detyruar ta arrestojnë atë.

Assange kërkohet në Suedi, ku përballet me një akuzë përdhunimi, të cilën ai e mohon.

Zyrtarët britanikë e kanë shpërfillur vendimin e OKB-së dhe thonë se do ta arrestojnë Assange, nëse del nga ambasada.

Komisioni i OKB-së mbi Ndalimet Arbitrare, një panel ekspertësh të pavarur, lëshoi një deklaratë të premten duke thënë se "format e ndryshme të privimit të lirisë që janë ushtruar ndaj Julian Assange përbëjnë një formë të ndalimit arbitrar." Paneli bëri thirrje që ai të lirohet dhe të kompensohet.

Por vendimi të premten nga OKB-ja nuk është ligjërisht i detyrueshëm.

Për shkak të marrëveshjeve të saj të ekstradimit me Suedinë, Britania thotë se do ta arrestojë Assange-in nëse ai largohet nga ambasada ekuadoriane. Suedia thotë se ka në plan t’i vazhdojë hetimet ndaj tij.

Assange, një shtetas Australian, ka thënë se dëshiron që t’i kthehet pasaporta dhe të ndërpriten të gjitha përpjekjet për ta arrestuar.

Ish-hakeri i kompjuterave zemëroi Shtetet e Bashkuara duke publikuar qindra e mijëra dosje sekrete të qeverisë amerikane.

Emri i tij është ilidhur në Suedi me një numër krimesh, përfshi një përdhunim në vitin 2010. Mbështetësit e tij thonë se gruaja në rastin e përdhunimit, ka thënë se ishte policia suedeze ajo që “e drejtoi atë të ngrinte akuza ndaj Assangit”.

Mes dokumentave sekrete që publikoi faqja e tij elektronike ishin qindra mijëra dokumenta që jepnin hollësi për operacionet ushtarake amerikane në Afganistan dhe Irak. Ai publikoi gjithashtu një video ku shihet një helikopter amerikan në vitin 2007 duke sulmuar në Bagdat dhe duke vrarë 12 persona, përfshi dy anëtarë të agjencisë së lajmeve Reuters.

Dokumentet përfshinin mijëra korrespondenca diplomatike nga ambasadat amerikane në botë që datonin në disa dekada.

Në Shtetet e Bashkuara, një gjykatë ende po heton publikimin e informacioneve.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest tha të enjten se Britania dhe Suedia duhet ta zgjidhin çështjen e Assange-it. “Për mua nuk është e qartë cfarë ndikimi ka një deklarim i Kombeve të Bashkuara mbi këtë rast”, tha zoti Earnest.

XS
SM
MD
LG