Lidhje

SHBA, një dyqan shet bagazhe të humbura


Humbja e bagazheve në aeroport mund të jetë problematike. Shumica e pasagjerëve në Shtetet e Bashkuara arrijnë t’i rimarrin bagazhet e humbura. Por, çfarë ndodh me bagazhet që nuk u del i zoti? Disa prej tyre, së bashku me gjërat që kanë brenda, përfundojnë në një dyqan në shtetin jugor të Alabamës. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim çmimeve të ulëta me të cilat shiten sendet që gjenden në bagazhet e humbura.

Më pak se gjysma e 1 përqind e të gjitha çantave të humbura në aeroportet amerikane nuk rimerren. Në shumicën e rasteve, bagazheve u del i zoti. Por çfarë ndodh në të kundërtën? Shumë prej tyre përfundojnë në qytetin e vogël, Skotsboro të shtetit Alabama.

"Kur shkoj qendrat e mëdha tregtare mund të shpenzoj një orë dhe mezi të gjej 3 gjëra që më pëlqejnë. Ndërsa kur vi këtu, në këtë dyqan, e mbush makinën plot.”

Tom Barnes flet për dyqanin Qendra e Bagazheve të Humbura.

"Është dyqani i vetëm në Amerikë që blen dhe shet bagazhet humbura nga industria e linjave ajrore. Mund të gjeni shumë gjëra si xhaketa, syze, jastëkë, batanije, por edhe laptopë, tableta kindle, iPads, të gjithë artikujt e kushtueshëm elektronikë. Po ashtu blejmë edhe bagazhet e humbur nga transporti tokësor".

Bagazhet blihen pa u hapur. Pastaj, më pak se gjysma e artikujve konsiderohen si të pranueshëm për shitje. Megjithatë, blerësit këtu mund të gjejnë një larmi të gjerë artikujsh, duke përfshirë unaza diamanti, fustane nusërie, instrumente muzikore dhe makina antike shkrimi.

"Do të blejë një xhaketë të zezë, një xhaketë për ski dhe rroba të tjera.”

Dyqani zë një bllok të qytetit, dhe ka hyrë në listën e qendrave kryesore turistike të Alabamës, duke tërhequr më shumë se një milion vizitorë në vit nga mbarë bota.

Disa mund të sugjerojnë se shitja e gjërave të humbura nga njerëzit e tjerë, është e padrejtë, por kjo nuk e dëmton pasionin e konsumatorëve.

"Mendoj se aeroporti është përpjekur t’i gjejë njerëzit që kanë humbur bagazhet. Pra, në qoftë se ata janë përpjekur dhe nuk i kanë gjetur, mendoj që më mirë, sendet të hidhen treg se sa të kalben diku në një magazinë".

Çdo ditë, një konsumator i zgjedhur në mënyrë të rastësishme mund të marrë pjesë në procesin për të vendosur fatin e sendeve të një bagazhi të humbur, thotë punonjësja Kayla Wilborn.

"Kontrollojmë gjendjen e sendeve për shitje, si të çfarë firme janë, apo nëse është e grisur apo e njollosur".

I themeluar në vitet 1970 dhe i furnizuar çdo ditë me 7 mijë artikuj të rinj, dyqani është bërë një minierë për ata që duan të gjejnë gjëra të çmueshme me çmime të ulëta.

XS
SM
MD
LG