Lidhje

Baiden zhvillon takime për çështjen e armëmbajtjes


Zv/presidendi Xho Baiden filloi tri ditë takime me grupe të ndryshme për të diskutuar dhunën lidhur me armët. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klain, na informon nga Shtëpia e Bardhë se zv/presidenti do të këshillojë Presidentin Obama për mënyrat si do të trajtohet problemi.

Zv/presidenti Baiden diskutoi me grupet e viktimizuara dhe organizatat për sigurinë nga armët për të dëgjuar historitë e tyre lidhur me dhunën me armë zjarri. Ai tha se problemi kërkon veprime të menjëherëshme.

“Presidenti dhe unë jemi të vendosur për të marrë masa. Kjo nuk është një mundësi për të dalë në fotograti, apo një mundësi për t’ju bërë pyejte për të mësuar mendimin tuaj. Ne jemi seriozisht të interesuar për çfarë ju keni për të thënë”.

Domosdoshmëria për kontrollin e armëve u bë edhe më e mprehtë pas vrasjes së 20 fëmijëve dhe gjashtë të rriturve muajin e kaluar në një shkollë fillore në Njutaun të shtetit Kënektikat. Disa ditë më vonë, presidenti Obama i kërkoni zotit Baiden të përgatisë propozime në përgjigje të incidentit deri në fund të janarit.

Presidenti i Fushatës Bredi për parandalimin e dhunës me armë, Dan Gros, tha se u parashtroi zyrtarëve në takim se edhe disa anëtarë të Shoqatës Kombëtare të Armës janë dakord se masat kundër dhunës janë të nevojshme.

“Asnjë anëtar i NRA-së dhe asnjë gjuetar nuk do të që shikojë 20 fëmijë të vrarë në një shkollë të Kënektikatit, apo një i ri që vritet në në linjë autobuzi të Çikagos. Askush nuk e do atë”.

Nënpresidenti tha se takimet që ai dhe sekretarët e kabinetit po zhvillojnë me grupet të ndryshme interesash do ta ndihmojnë presidentin për të përcaktuar politikën e tij.

“Presidenti do të veprojë. Ka urdhëra ekzekutive, veprime ekzekutive që mund të meren. Ne nuk kemi vendosur ende se çfarë do të bëjmë, por ne po i shqyrtojmë variantet me prokurorin e përgjithshëm dhe me gjithë anëtarët e tjerë të kabinetit, si dhe masat legjislative që ne besojmë se janë të domosdoshme”.

Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Karni tha se krahas veprimeve ekzekutive, presidenti po i kërkon Kongresit të shqyrtojë masa më të rrepta për kufizimin e armëve dhe municionit.

“Të miratohet ndalimi i armëve të sulmit, të miratohen ligji për municionin e kalibrit të lartë, të miratohet ligji për shqyrtimin e të kaluarës së personave që mbajnë armë”.

Zoti Obama shpreson të njoftojë nismat e reja pak pasi të fillojë mandatin e dytë presidencial pas 20 janarit.

Republikani më i lartë në Senat, udhëheqësi i shumicës, Miç Mekonëll, paralajmëroi këtë janë se veprimet e Kongresit lidhur me ligjin e armëve mund të presin deri sa ligjvënësit të trajtojnë problemet e shpenzimeve dhe borxhit.

Megjithë indinjatën e publikut për të shtënat në Kënektikat, shumë amerikanë janë të shqetësuar për ndonjë veprim të qeverisë që mund të kufizojë të drejtën e tyre kushtetuese të armëmbajtjes.

Shoqata e fuqishme Kombëtare e Armëve, grupi më i madh i personave që mbajnë armë në Shtetet e Bashkuara, ka hedhur poshtë ligjet për armët dhe ka propozuar që qeveria të caktojë roje të armatosura në çdo shkollë amerikane.

Zv/presidenti Baiden do të takohet edhe me anëtarë të NRA-së dhe të grupeve të pronarëve të armëve sot. Shitësi më i madh i armëve, Walmart, ka rënë gjithashtu dakord të marrë pjesë në bisedime.

Mbrojtësit e armëmbajtjes kanë thënë se politikat e reja për dhunën me armë duhet të përfshinë reforma për trajtimin e të sëmurëve mendorë dhe ekzaminimin e ndikimit të filmave dhe lojrave me dhunë.

Zyrtarët e administratës kanë në plan të takohen këtë javë me përfaqësuesit e industrisë së videolojrave dhe argërimit, si dhe me mbrojtësit e të sëmurëve mendorë.

Janë planifikuar gjithashtu takime me grupe prindërish dhe mësuesish, organizata komunitetesh, pronarë biznesesh dhe udhëheqës fetarë.
XS
SM
MD
LG