Policia e qytetit Palo Alto të Kalifornisë njofton se arrestoi më 27 dhjetor për vjedhje tre persona me shtetësi shqiptare, Kosta Barjaba, gruan e tij Fatbardha dhe vajzën e tyre Joniada. Ata u arrestuan se po vidhnin mallra të një dyqani Nordstrom në një Qendër Tregtare të Palo Altos.
Zoti Barjaba, doktor në sociologji dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se ishte ndaluar pasi nuk kishte autorizim për të ngarë automjetin.
I pyetur nga Zëri i Amerikës, një zyrtar i policisë së Palo Altos tha se policia i qëndron versionit të saj. Zyrtari, Brian Philip, tha se policia u njoftua nga personeli i Qendrës Tregtare Stanford dhe verifikoi se tre personat kishin vjedhur sende të dyqanit Nordstrom.
Sipas shtypit të Palo Altos, ata u dërguan në një objekt paraburgimi dhe pastaj u liruan kundrejt garancisë. Çështja i ka kaluar prokurorisë.