Lidhje

Barroso për krizën në Ukrainë


Kreu i Komisionit Evropian Joze Manuel Barroso thotë se kriza në Ukrainë mund të arrijë "një pikë pa kthim" ndërkohë që Presidenti ukrainas Petro Poroshenko po diskuton mbi gjendjen me udhëheqësit e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Zoti Barroso e bëri paralajmërimin sot, si reagim ndaj njoftimeve që flasin për fitore të reja nga ana e separatistëve pro-rusë, të cilët luftojnë me trupat qeveritare në Ukrainën lindore. Ai tha se Evropa është e gatshme të marrë masa të reja kundër Rusisë, e cila besohet se mbështet separatistët ukrainas. Por zoti Barroso shtoi se dera mbetet e hapur për një zgjidhje politike.

Presidenti francez Francois Hollande u angazhua për një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë si trysni që ajo të tërheqë mbështetjen e saj për separatistët. Presidenti Poroshenko tha se trysnia me të cilën përballet sot Ukraina mund të përhapet në pjesën tjetër të Evropës në të ardhmen e afërt.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës Andriy Lysenko, tha sot se trupat qeveritare janë tërhequr nga disa qytete në lindje, ku forcat kryengritëse po paraqiten gjithnjë e më të fuqishme.

Zyrtarët ushtarakë ukrainas thonë se një avion luftarak Su-25 u rrëzua dje nga një raketë ruse gjatë luftimeve mes forcave të Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë në pjesën lindore të vendit.

XS
SM
MD
LG