Lidhje

Basha: Rrezikohet destabilitet politik


Reforma territoriale, Kreu i opozitës reagon ashpër ndaj vendosmërisë të së majtës për të vazhduar e vetme. “Te mos refuzohet konsensusi”

Në Shqipëri kreu i opozitës Lulzim Basha tha sot se refuzimi nga ana e shumicës për të ofruar konsensus për realizimin e reformës territoriale do të jetë sipas tij "me pasoja dramatike dhe do ta fusë vendin në një spirale destabiliteti politik".

Deklaratat e zotit Basha pasojnë kërkesën e paraqitur nga ana e shumicës së majtë për të ndryshuar vendimin mbi funksionimin e komisionit parlamentar për reformën, i cili ka mbetur i bllokuar pasi opozita e cila ka një numër të barabartë anëtarësh dhe të drejtën e vetos nuk merr pjesë në të. Shumica kishte paralajmëruar se nuk do të mund të priste pa fund opozitën dhe se është e vendosur ta cojë deri në fund reformën. Në kërkesën e të majtëve, pritet të përfshihet një mekanizëm i cili rikthen formatin aktual të komisionit, nëse opozita do të vendosë të marrë pjesë në të.

Të djathtët kanë këmbëngulur të kenë garanci se reforma do të votohet me konsensus edhe në sallën e parlamentit. Qëndrimet e saj janë parë nga ana e të majtës si një përpjekje për bllokimin e reformës. Por zoti Basha tha sot se “nuk ka vend për paragjykime” dhe se “opozita do ta përdorë konsensusin në mirëbesim për të arritur një produkt në shërbim të qytetarëve”. Sipas tij, “refuzimi i konsensusit për këtë reformë është në fakt refuzim i bashkëjetesës demokratike”, saktësoi zoti Basha
XS
SM
MD
LG