Lidhje

BE, marrëveshje për gazet serrë


Udhëheqësit e Bashkimit Europian të mbledhur në Bruksel ranë dakord që, deri në vitin 2030, të ulin emetimet e gazeve serë me të paktën 40 për qind nën nivelet e vitit 1990. Marrëveshja, e arritur gjatë natës pas negociatave të zgjatura në Bruksel, përfshin gjithashtu kushtin që, gjatë kësaj periudhe, të paktën 27 për qind e nevojave për energji të Bashkimit Evropian të plotësohen nga burime të ripërtëritshme të energjisë.

Në një konferencë shtypi pas takimit, presidenti francez François Hollande komentoi për gazetarët lidhur me marrëveshjen. Ai tha se marrëveshja është e rëndësishme për të bindur edhe vendet e tjera të industrializuara të botës që t'i bashkohen kësaj nisme.

"U shpreh gjithashtu vullneti për të bindur Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe vende të tjera që Evropa të merret si referencë. Në qoftë se Evropa nuk do ta kishte arritur këtë marrëveshje, si mund të bindim Shtetet e Bashkuara, Kinën, vendet e tjera, vendet në zhvillim, ata që kanë pikëpyetje, nëse evropianët do të kishin treguar dobësi?"

Marrëveshja arrihet përpara negociatave të rëndësishme ndërkombëtare për klimën të caktuara për në fund të vitit të ardhshëm në Paris.

Kancelarja gjermane Angela Merkel u tha më pas gazetarëve se kuotat e marrëveshjes ishin ndarë sipas fuqisë ekonomike të secilit vend.

"Kjo do të thotë se vendet me prodhim të përgjithshëm më të madh për frymë do të kontribuojnë më shumë. Është pak a shumë si me ekonomitë në rritje të shpejtë. Atyre vendeve që kanë mbetur prapa, duhet t'u jepet mundësia që tani për tani të mos i shkurtojnë aq shumë gazet."

Objektivi i mëparshëm për pakësimin e gazeve serë në masën 20 për qind deri në vitin 2020 tashmë është arritur.

Eliminimi shkallë-shkallë i industrisë së rëndë të periudhës komuniste në Evropën Lindore ndihmoi të përmbushej ky objektiv.

Negociatat e Brukselit nuk kaluan pa kundërshtime. Polonia u përpoq të mbronte industrinë dhe minatorët e saj të qymyrit, ndërsa vende të tjera këmbëngulën për interesat e tyre të ndryshme, nga termocentralet bërthamore e deri te linjat ndërkufitare të energjisë elektrike.

XS
SM
MD
LG